Gjykata e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit la në fuqi të mërkurën në mbrëmje, pas një seance maratonë për vlerësimin e masave të sigurisë, arrestin me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, “arresti në shtëpi” është zëvendësuar me “Detyrim paraqitje” dy herë në muaj dhe “Ndalim të lëvizjes jashtë vendit”. Nuk kanë ndryshuar masat për 5 sipërmarrësit e përfshirë, nga të cilët Elman Abule mbetet në burg, ndërsa për të tjerët “Detyrimi për paraqitje”.
Zoti Veliaj dhe bashkëshortja e tij akuzohen për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”, ndërkohë zonja Xoxa dyshohet dhe për “Mosdeklarim të pasurisë”. Sipas Prokurorisë nga provat dhe fatet e grumbulluara “krijojnë dyshimin e arsyeshëm se bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt”.
Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë mësohet të jetë karakterizuar nga debate të forta mes zotit Veliaj dhe një prej prokurorëve të çështjes, Olsi Dado. Kryebashkiaku ka pretenduar se prokurori është nxitur nga motive personale, sepse atij i është mohuar një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Zoti Veliaj ka kërkuar që t’i hiqet “arresti me burg” kundrejt garancive pasurore, por kërkesa e tij nuk është marrë në konsideratë.
Jashtë gjykatës, mbështetës së zotit Veliaj ishin grumbulluar që në mëngjes, para nisjes së seancës. Ndërsa në mbrëmje ata shoqëruan me brohoritje makinën e policisë e cila po e largonte atë nga gjykata, duke mbajtur madje të bllokuar kalimin për pak minuta.