Lidhje

Bjellorusia liron tre të burgosur, përfshirë një shtetas amerikan


Marco Rubio
Marco Rubio

Tre persona të arrestuar janë liruar nga një burg në Bjellorusi, përfshirë një amerikan, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën, pa përmendur emrat e atyre që u liruan.

"Ne mund të konfirmojmë lirimin e sigurt të një amerikani dhe dy individëve nga Bjellorusia", tha në një konferencë shtypi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë , Karoline Leavitt.

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Ambasadat ruse dhe bjelloruse në Uashington gjithashtu nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Lirimi vjen pasi Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha muajin e kaluar se Bjellorusia kishte "liruar në mënyrë të njëanshme një amerikan të pafajshëm", të cilin ai e quajti Anastassia Nuhfer. Ai nuk dha detaje të tjera për rastin, i cili nuk ishte bërë publik më parë.

Një person i njohur me përpjekjet për të sjellë në shtëpi të burgosurit amerikanë të mbajtur jashtë vendit tha se një tjetër amerikan mbetet i burgosur në Bjellorusi. Burimi tha se Youras Ziankovich, një amerikan i natyralizuar 47-vjeçar që jeton në Teksas, u arrestua në prill të vitit 2021 ndërsa ishte për drekë në Moskë dhe nuk ishte liruar të mërkurën.

Ziankovich u mbulua me kapuç, iu vunë prangat dhe u dërgua në Bjellorusi, ku u gjykua në fshehtësi dhe u dërgua në burg i akuzuar për komplot për një grusht shteti, tha burimi, duke shtuar se atij iu lejua vizita e tij e parë nga diplomatët amerikanë me bazë në Lituani më 5 janar.

Lirimi i shtetasit amerikan nga Bjellorusia pason lirimin e mësuesit amerikan Marc Fogel nga Rusia, i cili ka kaluar tre vite në një burg.

Deri më sot është njoftuar lirimi i gjashtë amerikanëve të burgosur në Venezuelë, lirimi i zotit Fogel nga Rusia dhe lirimi i një shtetasi tjetër amerikan nga Bjellorusia.

Mësuesi amerikan kishte me vete një sasi të vogël marijuane mjekësore me recetë për të trajtuar dhimbjen e shpinës kur u ndalua nga policia ruse. Në vitin 2022 ai u dënua me 14 burg, ndërsa administrata e Presidentit Biden tha në fund të vitit të kaluar se zoti Fogel ishte arrestuar pa të drejtë.

XS
SM
MD
LG