Administrata e Presidentit Trump thotë se po rishikon programet e ndihmave për botën e jashtme në agjencinë kryesore amerikane për ndihmat humanitare, USAID. Kritikët po propozojnë një sërë ndryshimesh në programet e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.
Me qasjen e tij "Amerika e Para", Presidenti Donald Trump ka premtuar ndryshime gjithëpërfshirëse në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara ndërveprojnë me pjesën tjetër të botës.
Nënpresidenti JD Vance shpjegoi këtë qasje gjatë një interviste në kanalin FOX News.
"Koncepti i thjeshtë ‘Amerika e Para’, nuk do të thotë urrejtje për dikë tjetër, por një udhëheqje dhe presidenti Trump ka qenë shumë i qartë për këtë, që i jep përparësi kryesore interesave të qytetarëve amerikanë”, tha ai.
Në këtë kontekst, Presidenti Trump urdhëroi një ngrirje 90-ditore, duke filluar nga 20 janari, për të gjithë ndihmën amerikane për botën e jashtme derisa të përfundojë një rishikim i plotë i saj nga qeveria. Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka sqaruar së fundmi disa përjashtime, që parashikon urdhri për ngrirjen e fondeve.
"Ne kemi miratuar disa përjashtime për disa programe, që janë të logjikshme për të gjithë në botë, ato e bëjnë Amerikën më të sigurt dhe më të fortë. Fondet e programeve që ofrojnë ushqime apo ilaçe urgjente, që shpëtojnë jetë, nuk do të pezullohen", thai ai.
Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila menaxhon shumicën e programeve të ndihmës amerikane për botën e jashtme, është nën një analizë intensive, gjë që disa analistë thonë se është e nevojshme.
“Ndoshta ka pjesë të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që mund të kenë nevojë të zvogëlohen apo të ristrukturohen në mënyrë që të jenë të përqëndruara në objektivat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, në vend që thjesht të përqëndrohen në ngritjen e standarteve kulturore që ne i shohim si të dobishme edhe këtu, por që mund të mos preferohen nga vendet që ne ndihmojmë”, thotë Bryan Clark nga Instituti Hudson.
“Një nga gjërat për të cilat administrata e Presidentit Trump ka qenë shumë e shqetësuar është përqendrimi i USAID-it në programet e diversitetit, barazisë dhe gjithëpërfshirjes në mbarë botën. Mendoj se kjo është keqpërdorur në një farë mase nga USAID-i, sepse disa vende të botës nuk e duan këtë, nuk janë gati të pranojnë, për shembull, martesat e homoseksualëve”, thotë Sean Roberts nga Universiteti George Washington.
Punonjësit e USAID-it kanë protestuar në ditët e fundit në mbrojtje të punës së tyre dhe kundër shpërbërjes së mundshme të agjencisë së tyre. Një nga protestuesit është kontraktorja e USAID-it Mieka, e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj.
“Ne punojmë jo duke i detyruar njerëzit të kenë respekt për Amerikën apo duke u thënë atyre të përqafojnë disa vlera të caktuara, por duke i mbështetur ata në mënyrat që ata mendojnë se kanë nevojë dhe përmes kësaj ne e bëjmë botën një vend më të mirë për të gjithë”, thotë ajo.
Investimet më të përëqendruara të USAID-it në vendet e tjera të botës mund të sjellin përfitime më të mira për Amerikën, thotë eksperti i politikave të mbrojtjes, Bryan Clark.
“Investimet në ndihmën humanitare, edhe nëse nuk krijojnë domosdoshmërisht një aleat që do të jetë në gjendje të mbështesë interesat e Shteteve të Bashkuara, janë të mira, sepse reklamojnë fuqinë e butë të Shteteve të Bashkuara dhe përmirësojnë pozicionin e tyre në botë”, thotë ai.
Ndërsa rishikimi i programeve të USAID-it është duke u zhvilluar, zyrtarët riaktivizuan disa programe si atë të luftës kundër sidës, PEPFAR, por klinikat lokale nuk u rihapën menjëherë.