NJU JORK – Steve Bannon pranoi fajësinë të martën për një akuzë mashtrimi të donatorëve që kontribuuan me fonde për një iniciativë private për të ngritur një mur përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara. Zoti Bannon, një ndër hartuesit kryesorë të politikave konservatore, e pati denoncuar procesin si një “persekutim politik”.
Zoti Bannon, një aleat i hershëm i Presidentit Donald Trump, pranoi një marrëveshje fajësie që përjashton dënimin e tij me burgim për shkak të skemës së titulluar “Ne Ndërtojmë Murin” (“We Build the Wall”), për sa kohë që nuk bën shkelje të mëtejshme.
Marrëveshja vjen vetëm disa ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi urdhëroi Departamentin e Drejtësisë të hetojë atë që presidenti e quajti "përdorim politik i pushtetit të prokurorisë". Çështja ishte planifikuar të shkonte në gjyq më 4 mars.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, ngriti akuza ndaj zotit Bannon në gjykatën shtetërore, pasi një falje e Presidentit Trump në vitin 2021 rrëzoi padinë federale që ishte bërë për të njëjtat akuza. Në nëntor, gjykatësja April Newbauer vendosi që prokurorët mund t'i tregonin jurisë prova të caktuara, përfshirë një email që ata thonë se tregon se zoti Bannon ishte i shqetësuar se përpjekja për mbledhjen e fondeve ishte "një mashtrim".
Zoti Bannon kishte planifikuar një strategji agresive të mbrojtjes dhe kohët e fundit punësoi një ekip të ri avokatësh, të cilët kërkuan ta portretizonin çështjen para jurisë si një ndjekje penale e qëllimshme dhe keqdashëse.
Në janar, avokatët e zotit Bannon depozituan dokumente ku i kërkonin gjykatëses Newbauer pushimin e çështjes, duke e quajtur atë një "zbatim selektiv antikushtetues të ligjit". Gjykatësja pritej të vendoste për këtë të martën, përpara se të paraqitej marrëveshja për pranimin e fajësisë së zotit Bannon.
Zoti Bannon, 71 vjeç, deklaroi pafajësinë në shtator 2022 ndaj një aktakuze të gjykatës shtetërore që e akuzonte atë për pastrim parash, mashtrim dhe komplot. Ai u akuzua se u kishte premtuar donatorëve në mënyrë të rreme se të gjitha paratë e dhëna për fushatën “Ne Ndërtojmë Murin” do të shkonin për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Në vend të kësaj, prokurorët akuzuan se paratë u përdorën për të pasuruar zotin Bannon dhe personat e tjerë të përfshirë në projekt.
Fushata për mbledhjen e fondeve, e nisur në vitin 2018, pasi Presidenti Trump e shkarkoi zotin Bannon nga detyra si këshilltar i tij, mblodhi me shpejtësi mbi 20 milionë dollarë dhe ndërtoi privatisht disa kilometra gardh kufitar. Projekti hasi në probleme me Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve dhe Ujërave, u vu nën hetim federal dhe tërhoqi kritika nga vetë kandidati republikan Trump politikat e të cilit synonte të mbështeste.
Prokurori Bragg, i zgjedhur nga radhët e demokratëve, e rihapi çështjen hetimore pasi Presidenti Trump ndërpreu hetimin e prokurorisë federale të zotit Bannon, me një falje të dhënë përpara përfundimit të mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Faljet presidenciale vlejnë vetëm për shkeljet federale dhe jo ato shtetërore.
Prokurori Jeffrey Levinson tha në një seancë dëgjimore në nëntor se vetë zoti Bannon pati shkruar në një email në fillim të fushatës për mbledhjen e fondeve: "A nuk është ky një mashtrim? Nuk mund të ndërtohet muri me kaq para". Prokurori tha se zoti Bannon kishte vazhduar më tej, duke shtuar se: "Amerikanët e varfër nuk duhet të përdorin paratë e fituara me mund, për diçka që nuk mund të bëhet".
Dy persona të tjerë të përfshirë në projekt, Brian Kolfage dhe Andrew Badolato, pranuan fajësinë për akuzat federale dhe u dënuan me burg. Një i pandehur i tretë, Timothy Shea, u dënua gjithashtu me burgim.
Zoti Bannon vuajti dënimin me katër muaj burgim në Connecticut për një padi tjetër federale vitin e kaluar, për kundërshtimin e një fletëthirrjeje për paraqitje në Kongres gjatë hetimit të sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Ai u lirua në tetor. Prokurorja e përgjithshme Bondi javën e kaluar krijoi në Departamentin e Drejtësisë një grup pune kundër përdorimit politik, për të shqyrtuar rastet që ajo tha se duket se ishin të motivuara nga "objektiva politike ose qëllime të tjera të papërshtatshme", përfshirë hetimin e prokurorit Bragg me akuza penale ndaj Presidentit Trump.