Lidhje

Kosova voton në zgjedhjet parlamentare


Njëzetetetë subjekte politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës në zgjedhjet e sotme parlamentare. Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike.

Mbi 940 qendra votimi do të jenë të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës do t’u bashkohen vëzhguesve të tjerë vendas e ndërkombëtarë që do të ndjekin nga afër procesin e votimeve.

Për një muaj me radhë partitë politike bënë fushatë me zotimet për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Evropë.

Zgjedhjet e së dielës, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, shihen si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe është vënë në përpjekje për një mandat tjetër.

Kosova voton në zgjedhjet parlamentare
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

Kandidatët e partive kryesore politike për postin e kryeministrit bënë thirrje të dielën në mëngjes për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në votime.

“Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në shtetin e pavarur të Kosovës. I falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë votuar deri tani dhe inkurajoj çdonjërin që të votojë. Ushtrojeni të drejtën demokratike për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet, përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vitet e ardhshme”, tha kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Në këtë ditë të demokracisë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre dhe Republikës së Kosovës për katër vitet e ardhshme. Është ditë feste, për ne si LDK, për popullin e Kosovës zgjedhjet janë gjithmonë festë”, tha kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

“I lus të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të zgjedhur qeverinë për katër vitet e ardhshme. Urojë që gjithçka të shkojë mirë, besoj se gjithçka do të shkojë mirë dhe në fund sovrani vendos”, tha kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve dilni të votoni, vota juaj ka vlerë vetëm në kuti dhe Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara dhe suksese”, tha kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Votimi në zonat e banuara me shumicë serbe
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se deri pak para orës 16:00 votuan 27 për qind e qytetarëve më të drejtë vote.

Votimet e sotme do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga fuqitë perëndimore për veprimet qeverisë së tij në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri.

Por, bisedimet me Serbinë nuk gjetën shumë vend në fushatën para zgjedhjeve.

Partitë opozitare kritikuan qeverinë Kurti për marrëdhëniet me aleatët posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, të cilat gjatë administratës së ish Presidentit Joe Biden, tërhoqën vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kishin ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe paralajmëruan Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Çështja e këtyre marrëdhënieve u bë objekt diskutimesh këto ditë pas dy postimeve në rrjetin social X nga i dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi. Sipas tij marrëdhëniet janë në pikën më të ulët, ndonëse qeveria e Kosovës ngulë këmbë se janë shumë të mira.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja që shtuan praninë e tyre në Kosovë pas tensioneve të viteve të kaluara, kanë shtuar trupat në prag të zgjedhjeve parlamentare, për mbarëvajtjen e të cilave policia e Kosovës tha se ka hartuar një plan të posaçëm në bashkërendim më forcat e KFOR-it, Misionin e BE-së për sundimin e ligjit, prokurorinë dhe diplomatët perëndimorë.

XS
SM
MD
LG