Administrata e Presidentit Donald Trump ra dakord të premten që të mos bëjë publik emrat e agjentëve të FBI-së që ishin të përfshirë në hetimin e sulmit ndaj Kapitolit në 6 janar 2021, ndërsa Presidenti ka deklaruar se disa prej tyre duhet të pushohen nga puna.
Marrëveshja, e cila u pranua nga një gjykatës federal, erdhi pas dy grupe agjentësh të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI-së) paditën Departamentin e Drejtësisë me kërkesën që zyrtarë të këtij institucioni të mos bënin publik emrat e agjentëve, për shkak të frikës për sigurinë e tyre.
Sipas parashikimeve të kësaj marrëveshjeje, Departamenti nuk do të lejohet të bëjë publik emrat, të paktën deri në fund të marsit, ndërsa procesi gjyqësor vazhhdon.
Po ashtu, Departamenti ra dakord se do t'i njoftojë paditësit dy ditë përpara në rast se vendos të publikojë emrat në të ardhmen.
Disa orë më vonë, Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve se do të pushojë nga puna disa nga agjentët për shkak të rolit të tyre në hetimet e 6 janarit.
"Do të shkarkoj disa prej tyre sepse disa prej tyre ishin të korruptuar”, tha Presidenti.
Emil Bove, ish avokat i zotit Trump që tani mban një post të lart në Departamentin e Drejtësisë, kishte kërkuar vënien në dispozicion të një informacioni të tillë nga FBI-ja, në kuadër të asaj që e cilësoi - proces të brendshëm rishikimi për shkelje-lidhur me hetimet për trazirat e 6 janarit, për çka u ngritën rreth 1600 çështje penale ndaaj përkrahësve të zotit Trump.
Në shkresë ai njoftoi shkarkimin nga detyra të 8 zyrtarëve të lartë të FBI-së dhe shtoi se pasi FBI-ja të dorëzonte listën e emrave, Departamenti do të shqyrtonte nëse "është e nevojshme ndërmarrja e veprimeve shtesë ndaj personelit”.
Marrëveshja e arritur në gjykatë të premten erdhi pasi drejtori në detyrë i FBI-së, Brian Driscoll, i dorëzoi Departamentit të Drejtësisë një listë që përmban emrat e punonjësve të FBI-së që ishin përfshirë në hetimet e 6 janarit, pas ditësh të tëra rezistence dhe pas ngritjes së dy padive kundër Departamentit, sipas një emaili që ka parë agjencia e lajmeve Reuters.
Departamenti i Drejtësisë, duke reaguar lidhur me paditë e ngritura nga agjentët, ka deklaruar se nuk ka plane të menjëhershme për bërjen publike të emrave të përfshirë në listë.
Zoti Bove ka thënë më parë se agjentët që thjesht kishin zbatuar urdhrat për hetime nuk do të përballen me masa disiplinore.