Lidhje

Inceneratori i Tiranës, Prokuroria e Posaçme kërkon 4 vjet burg për Lefter Kokën


Inceneratori i Tiranës
Inceneratori i Tiranës

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kërkoi sot dënimin me katër vite burg për ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për rastin e inceneratorit të Tiranës. I njejti dënim, dhe po për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” u kërkua dhe për katër të pandehur të tjerë, ish funksionarë të ministrisë, dhe anëtarë të komisionit të dhënies së koncensionit. Mes tyre dhe ish Drejtori i Punëve publike në Bashkinë e Tiranës Taulant Tusha dhe një tjetër zyrtar i këtij institucioni. Për tre anëtarë të tjerë të komisionit, u kërkuan dënime më të ulta, me dy vjet burgim. Për dy prej tyre, gra, dënimi do të duhet të konvertohet me shërbim prove për katër vjet.

Të gjithë kanë zgjedhur gjykim të shkurtuar e për pasojë, në rast të dënimit përfitojnë ulje me një të tretën, ndërsa Prokuroria ka kërkuar për ta dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Për katër të pandehur të tjerë, do të vijojë gjykimi me procedurën normale, ndërsa ish Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, do të gjykohet veçmas.

Sipas Prokurorisë, në rastin e inceneratorit të Tiranës, “janë konstatuar veprime të kundraligjshme të kryera, para fazës së procedurës, si dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit”. Kështu, sipas akuzës në rastin e dhënies së bonusit prej 8 përqind kompanisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, propozimi është bërë “pa hartuar një raport përmbledhës” dhe ndërsa “kompania nuk kishte sqaruar ende kostot e projektit”.

Nga hetimet ka rezultuar se falë ndihmës së marrë nga drejtuesit e ministrisë së Mjedisit dhe anëtarët e komisionit të koncensionit, kompania “ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese para se të shpallej procedura”, me qëllim shpalljen e saj si fituese”.

Po ashtu Prokuroria thotë se “Dokumentet Standarte të Koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit”, dhe se në fakt ato janë përpiluar nga Klodian Zoto, i cili sipas prokurorisë, së bashku me Mirel Mërtirin, rezultojnë pronarët faktikë të inceneratorit. Të dy, së bashku me persona të tjerë, po hetohen për vepra të tjera penale, lidhur me këtë rast.

Lidhur me studimin e fizibilitetit, anëtarët e komisionit, sipas akuzës “i kanë përllogaritur kostot, duke i marrë ato nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre. Nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton”.

Pas dy javësh, gjykata ka caktuar seancën e radhës, ku pritet të paraqiten argumentat e mbrojtjes, përpara se të dilet me një vendim.

Në dy shkallët e gjykimit, ka përfunduar vetëm çështja e inceneratorit të Elbasanit, ku Apeli I Posaçëm rëndoi akuzat për ish ministrin Lefter Koka dhe shpall fajtor dhe ish deputetin Bllako. Ndërsa për rastin e Fierit, Apeli e ka kthyer për rigjykim me një tjetër trupë gjyqësore.

Proces i dytë gjyqësor për Jorgo Goron

Po sot Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur kërkesën për gjykim edhe për ish kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro dhe dy ish zyrtarë të Bashkisë, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe të kryer më shumë se një herë. Ky do të jetë procesi i dytë gjyqësor për Goron, përveç atij që lidhet me dy episode tjetërsimi tokash në bregdet.

Në këtë rast bëhet fjalë për procedurat e ndërmarra nga Bashkia e Himarës, për plotësimin me tokë bujqësore të familjeve që kishin marrë sipërfaqe të mangëta gjatë ndarjes së tokës në vitin 1992 sipas ligjit 7501. Nga këto procedura, sipas hetimit është zbuluar se ka patur përfitime të pamerituara nga disa familje.

Prokuroria e Posaçme thotë se “bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionin e administruar, pyetjet e dëshmitarëve arrihet në konkluzionin se, Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë në bashkëpunim me Jerasimo Bashin dhe Vasillaq Strakoshën, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës”, të kryera në kundërshtim me ligjet dhe një vendim të qeverisë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të paraqitura.

XS
SM
MD
LG