Lidhje

Shtëpia e Bardhë me zyrë për të luftuar diskriminimin e të krishterëve


Presidenti Donald Trump gjatë aktivitetit për Mëngjesin e Lutjeve (Uashington, 6 shkurt 2025)
Presidenti Donald Trump gjatë aktivitetit për Mëngjesin e Lutjeve (Uashington, 6 shkurt 2025)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të enjten se do të krijojë në Shtëpinë e Bardhë një zyrë për çështjet e besimit dhe e udhëzoi Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi të drejtojë një grup pune për të eliminuar atë që e quajti diskriminim ndaj të krishterëve në qeverinë federale.

Presidenti Trump i bëri komentet gjatë Mëngjesit të Lutjeve në Kapitol dhe shfrytëzoi fjalimin e tij për të bërë thirrje për unitet, duke u thënë ligjvënësve se marrëdhënia e tij me besimin ka ndryshuar që kur ndodhën dy atentatet ndaj tij vitin e kaluar.

Gjatë një mëngjesi të dytë lutjesh në Uashington, Presidenti Trump përdori një ton më partiak, duke u shprehur i kënaqur me eliminimin gjatë dy javëve të fundit të programeve për drejtësinë sociale të bazuar tek aspekte si raca apo gjinia (programet e ashtuquajtura woke), si dhe njoftoi masat për të mbrojtur krishtërimin nga ai që tha se ishte diskriminim fetar.

“Misioni i këtij grupi pune do të jetë që të ndalë menjëherë të gjitha format e sulmeve ndaj të krishterëve dhe diskriminimin brenda qeverisë federale, përfshirë në Departamentin e Drejtësisë, që ishte absolutisht i tmerrshëm, si dhe tek agjencia e taksave IRS, në FBI dhe në agjencitë e tjera”, tha Presidenti Trump.

Ai u zotua se prokurorja e përgjithshme do të punojë “për të hetuar plotësisht dhunën dhe vandalizmin kundër të krishterëve në shoqërinë tonë dhe do të bëjë gjithçka të mundur në tokë dhe në qiell për të mbrojtur të drejtat e të krishterëve dhe besimtarëve në mbarë botën”.

Presidenti nuk përmendi gjatë fjalimit shembuj specifikë të diskriminimit të të krishterëve, por ka akuzuar më parë administratën e ish-Presidentit Biden se përdori qeverinë federale për të goditur në veçanti të krishterët.

Presidenti Trump firmosi të enjten një urdhër ekzekutiv për të krijuar grupin e punës dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e tij, ku përfshihet rekomandimi i hapave për t’i dhënë fund “politikave, praktikave apo sjelljeve dhunuese”.

Administrata e ish-Presidentit Biden njoftoi një strategji në dhjetor për të luftuar paragjykimin ndaj myslimanëve dhe arabëve, dhe një plan të ngjashëm për të luftuar antisemitizmin në shtator 2023.

Veprimet e shpallura të enjten mund të ngrenë pikëpyetje kushtetuese në lidhje me ndarjen e kishës nga shteti, me Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane që kufizon mbështetjen e fesë nga qeveria.

Në tre ciklet e fundit zgjedhore, votuesit e bardhë ungjillorë të krishterë, të cilët përbëjnë një pjesë jetike të bazës republikane, kanë mbështetur Presidentin Trump. Ai ka përqafuar pikëpamjet konservatore të krishtera dhe politikat që reflektojnë ankthin e kësaj pjese të popullsisë për ndryshimin e normave gjinore dhe modeleve familjare.

Presidenti njoftoi gjithashtu të enjten se do të krijojë një Zyrë Besimi në Shtëpinë e Bardhë, të udhëhequr nga pastorja Paula White, e cila ka shërbyer si këshilltare fetare e tij për shumë vite.

Presidenti Trump krijoi një zyrë të ngjashme në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të tij të parë dhe u konsultua rregullisht me një grup të ngushtë këshilltarësh evangjelistë.

Presidenti Trump tha gjithashtu se do të krijojë një komision të ri për lirinë fetare dhe e kritikoi administratën ish-Presidentit Biden për "persekutimin" e besimtarëve nëpërmjet ndjekjes penale të aktivistëve kundër abortit.

Në vitin 2023, Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve u nda në dy aktivitete, atë në Kapitol ku morën pjesë ligjvënësit dhe një aktivitet tjetër privat me disa mijëra pjesëmarrës në një hotel, pasi disa ligjvënës u përpoqën të distancoheshin nga grupi fetar privat pas pikëpyetjeve se si drejtohej dhe financohej.

XS
SM
MD
LG