Kryeministri japonez Shigeru Ishiba takohet sot (të premten) në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo zyrtarët japonezë thonë se duan të ripohojnë aleancën SHBA-Japoni dhe të ndërtojnë lidhje të forta personale mes Kryeministrit Ishiba dhe Presidentit Trump.
Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, presidenti amerikan Donald Trump, ka rikthyer trysninë mbi vendet që ai thotë se po shfrytëzojnë Shtetet e Bashkuara.
“Këto vende po vjedhin pasurinë tonë, vendet tona të punës, kompanitë tona”, thotë Presidenti Trump.
Presidenti Trump po kërcënon vendet mike me vendosjen e tarifave dhe ka thënë se Uashingtoni duhet të marrë kontrollin mbi Groenlandën dhe bërjen e Kanadasë shtetin e 51-të të Amerikës.
Takimi i parë i Kryeministrit japonez Shigeru Ishiba me Presidentin Trump ndodh pikërisht në këtë kontekst. Kjo shqetëson shumë njerëz në Tokio, thotë profesori Jeffrey J. Hall.
“Mediat dhe banorët japonezë shpresojnë që Kryeministri Ishiba të mund të dalë nga takimi pa qenë viktimë e një sulmi të ri nga Amerika”, thotë profesori Hall nga Universiteti Kanda.
Gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, tensionet SHBA-Japoni u zbutën, pjesërisht për shkak të diplomacisë së ish-Kryeministrit Shinzo Abe.
Kjo qasje mund të jetë e vështirë për Kryeministrin Ishiba, i cili ka një personalitet shumë të ndryshëm.
“Ai është akademik. Atij i pëlqen të flasë me detaje, që mund të jetë gjë e mirë në një debat parlamentar ose në një mjedis tjetër… por mund të ketë ndikim të kundërt në llojin e bisedës që Presidenti Trump pëlqen të bëjë”, thotë profesori Hall.
Disa në Japoni nuk besojnë se është ide e mirë që Kryeministri Ishiba po takohet me Presidentin Trump. Në vend të kësaj, thonë ata, më mirë do të ishte që ai të qëndronte larg radarit të Presidentit Trump për aq kohë sa të ishte e mundur.
Të tjerë thonë se është më mirë të jesh proaktiv, pjesërisht për t'u mbrojtur nga çdo tendosje e ardhshme në aleancë.
“Disa njerëz thonë se takimi nuk është një ide e mirë, por duhet të rrezikosh nëse dëshiron të kesh një marrëdhënie më të mirë”, thotë Mieko Nakabayashi profesore në Universitetin Waseda dhe ish-ligjvënëse japoneze.
Kjo është e njëjta dinamikë me të cilën përballet pothuajse çdo aleat i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Presidenti Trump përsëri ndjek qasjen e tij ‘Amerika e para’ ndaj botës.