Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbikëqyri të enjten konfiskimin e një avioni të qeverisë së Venezuelës në Republikën Dominikane.
Departamenti i Shtetit tha përmes një deklarate se konfiskimi i aeroplanit kishte baza ligjore që lidhen me shkeljen e sanksioneve amerikane, kontrollet e eksportit dhe pastrimin e parave nga qeveria e Venezuelës. Ky është avioni dytë venezuelian që konfiskohet nga Shtetet e Bashkuara në Republikën Dominikane gjatë muajve të fundit.
Në ndalesën e fundi të turneut në Amerikën Latine, Sekretari Rubio ndoqi të enjten një zyrtar të Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara ndërsa vendosi dokumentin e sekuestrimit zyrtar të avionit, i cili ndodhej në Santa Domingo për mirëmbajtje.
Departamenti i Shtetit tha se drejtues të lartë të qeverisë së Presidentit venezuelian Nicolas Maduro e kishin përdorur avionin e tipit ‘Dassaul Falcon 200’ për të shkuar në Greqi, Turqi, Rusi, Nikaragua dhe Kubë.
Gjatë kohës që shërbeu në Senatin e Shteteve të Bashkuara, zoti Rubio, djalë emigrantësh kubanë, ishte mbrojtës i zjarrtë i sanksioneve të ashpra ndaj qeverisë së Maduros, një aleat i ngushtë i qeverisë komuniste në Kubë. Sekretari Rubio tha këtë javë se Shtetet e Bashkuara nuk e njohin Maduron si udhëheqës legjitim të Venezuelës.
Muajin e kaluar, Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump, u takua me zotin Maduro për bisedime dhe u largua nga Karakasi me gjashtë amerikanë që ishin arrestuar në Venezuelë. Ai gjithashtu i ka kërkuar Venezuelës që të pranojë shtetasit e saj që do të dëbohen nga Shtetet e Bashkuara. Fitorja e zgjedhjeve të korrikut 2024 nga zoti Maduro është kundërshtuar nga opozita, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe shumë vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara.