UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të firmosë të enjten një urdhër ekzekutiv për t’i vendosur sanksione Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), për shkak të veprimeve kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate, si Izraeli, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Urdhri ekzekutiv do të vendosë sanksione financiare dhe për vizat ndaj individëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre që ndihmojnë në hetimet e ICC-së ndaj qytetarëve amerikanë ose aleatëve të SHBA-ve, tha zyrtari.
Lëvizja e Presidentit Trump vjen pasi javën e kaluar senatorët demokratë bllokuan një përpjekje të udhëhequr nga republikanët për t’i vendosur sanksione ICC-së në shenjë proteste ndaj urdhër-arrestit për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të tij të mbrojtjes për fushatën e Izraelit në Gazë. Kryeministri Netanyahu aktualisht po viziton Uashingtonin.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Gjykata ka marrë masa për të mbrojtur punonjësit nga sanksionet e mundshme amerikane, duke ua paguar rrogat tre muaj paradhënie, ndërsa po përgatitej për kufizime financiare që mund të dëmtojnë funksionimin e kësaj gjykate të krimeve të luftës, thanë burimet për agjencinë e lajmeve Reuters muajin e kaluar.
Në dhjetor, presidentja e gjykatës, gjyqtarja Tomoko Akane, paralajmëroi se sanksionet do të "dëmtonin me shpejtësi operacionet e Gjykatës në të gjitha situatat dhe çështjet, si dhe do të rrezikonin vetë ekzistencën e saj".
Kjo është hera e dytë që gjykata përballet me masa ndëshkimore nga Shtetet e Bashkuara, si rezultat i punës së saj. Gjatë administratës së parë të Presidentit Trump në vitin 2020, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj prokurores së atëhershme Fatou Bensouda dhe një prej ndihmësve të saj kryesorë lidhur me hetimin e ICC-së për krimet e dyshuara të luftës nga forcat amerikane në Afganistan.
Në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC) marrin pjesë 125 vende anëtare dhe ajo është një gjykatë e përhershme që mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresioni kundër territorit të shteteve anëtare, ose nga shtetasit e tyre. Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe Izraeli nuk janë vende anëtare.