Kur kryeministri i Japonisë Shigeru Ishiba të takohet të premten me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, objektivi i tij, sipas zyrtarëve japonezë, do të jetë shumë i qartë: të konfirmojë aleancën SHBA-Japoni dhe të ndërtojë një marrëdhënie të fortë me zotin Trump.
Por shumë në Tokio thonë se objektivi i zotit Ishiba është edhe më i thjeshtë - të shmangë një katastrofë diplomatike me Presidentin e ri të rizgjedhur Donald Trump, i cili e ka kthyer edhe me më shumë intensitet se sa gjatë mandatit të tij të parë, politikën e jashtme - “Amerika e Para”.
Në më pak se sa tre javë që nga marrja e detyrës, zoti Trump ka përshkallëzuar trysninë ndaj aleatëve dhe partnerëve të Shteteve të Bashkuara, shpesh në mënyrë të papritur dhe të paparashikueshme.
Ai ka kërcënuar se do të vendosë tarifa për Meksikën dhe Kanadanë, ndërsa ka ngritur mundësinë për veprime ushtarake kundër karteleve dhe ka sugjeruar që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të. Ai ka kërkuar marrjen e Groenlandës nga Danimarka, një vend anëtar i NATO-s dhe ka paralajmëruar Panamanë se nëse nuk frenon ndikimin kinez, Shtetet e Bashkuara mund të marrin me forcë kontrollin e Kanalit të Panamasë.
Këto zhvillime kanë shqetësuar shumë njerëz në Tokio, i cili mbështetet tek “ombrella bërthamore” e Shteteve të Bashkuara dhe është renditur prej kohësh krah idesë së një rendi ndërkombëtar, të bazuar në rregulla, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.
"Nëse ndiqni mediat japoneze ose dëgjoni çfarë thonë japonezët, në fakt, ata thjesht shpresojnë që (kryeministri) Ishiba të mund të dalë nga ky takim pa rënë viktimë e një lloj sulmi të ri nga Amerika", thotë Jeffrey J. Hall, studiues politike në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare ‘Kanda’.
A mund të përsëritet qasja që mbante kryeministri Abe?
Deri më tani, zoti Trump i ka kursyer kritikat ndaj Japonisë. Javën e kaluar, ndërsa njoftoi takimin e tij me zotin Ishiba, Presidenti Trump deklaroi se “Më pëlqen Japonia”, duke përmendur miqësinë e tij me Shinzo Abe, ish-kryeministrin e ndjerë të vendit.
Shinzo Abe, i cili udhëhoqi Japoninë për pothuajse të gjithë mandatin e parë të Presidentit Trump, e kultivoi me kujdes marrëdhënien me të- përmes diplomacisë personale dhe lajkave – shpesh duke luajtur golf me zotin Trump dhe madje duke i dhuruar atij një shkop golfi të veshur me ar.
Shumë analistë japonezë shpresojnë që kryeministri Ishiba të ndjekë një qasje të ngjashme për të mbajtur marrëdhënie të qeta me Presidentin Trump.
Por kjo mund të jetë e vështirë. Ndryshe nga Shinzo Abe, Shigeru Ishiba drejton një qeveri të paqëndrueshme dhe përballet me mundësinë që partia e tij të humbasë shumicën në Dhomës e Lartë në zgjedhjet vendimtare, që pritet të mbahen më vonë gjatë këtij viti. Analistët thonë gjithashtu se personaliteti më pak i fortë i zotit Ishiba mund t’ia vështirësojë atij krijimin e një lidhje më të afërt me zotin Trump.
“Ai nuk ka elementët dhe stilin e sigurt të komunikimit që duket se vlerëson Presidenti Trump”, thotë Philip Turner, ish-diplomat i lartë i Zelandës së Re, tani me bazë në Tokio. "Nëse lajkat janë zgjidhja, atëherë nuk besoj se ai është shumë i mire me ato”, shtoi ai.
Më mirë larg vëmendjes?
Situata është aq e paparashikueshme sa disa në Japoni ngrenë pikëpyetjet nëse zoti Ishiba duhet apo jo të takohet me Presidentin Trump pikërisht tani. Në vend që t’i afrohen rrezikut, pyesin ata, pse të mos bëhen përpjekje për të qëndruar larg vëmendjes së Presidentit Trump për aq kohë sa të jetë e mundur?
Por edhe një qasje e qetë mund të mos funksionojë, thotë Mieko Nakabayashi, ish ligjvënëse japoneze. "Disa njerëz thonë: "Mos e zgjo foshnjën që fle", por këtë herë zoti Ishiba mund ta bëjë një gjë të tillë", vazhdon zonja Nakabayashi, profesoreshë në Universitetin “Waseda”, në Tokio.
Sipas zonjës Nakabayashi, në raste se Presidenti Trump kërcënon Japoninë me vendosjen e tarifave, do të ishte më mirë që zoti Ishiba të ketë vendosur më parpara një marrëdhënie personale me zotin Trump, në mënyrë që të ketë mundësi të menaxhojë krizën.
“Duhet të rrezikoni nëse doni të keni një marrëdhënie më të mirë me zotin Trump”, shtoi ajo.
Për të shmangur trysninë e mundshme, sipas analistëve, kryeministri Ishiba mund të nxjerrë në pah rolin e Japonisë si investitori më i madh i huaj në Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu mund të shtrojë çështje ekonomike si përpjekja për blerjen e kompanisë amerikane të çelikut ‘US Steel’ nga kompania japoneze ‘Nippon Steel’, marrëveshje e cila u bllokua nga administrata e ish-Presidentit Joe Biden.
Por disa analistë parashikojnë se kryeministri Ishiba mund të kufizojë ambiciet e tij, duke synuar që thjesht t’i hapë udhë një vizite në Japoni të Presidentit Trump, në mënyrë që zyrtarët të dëshmojnë atje, se sa rëndësi ka aleanca me SHBA-të.
Studiuesi Jeffrey J. Hall thotë se kjo qasje mund të jetë e suksesshme vetëm sepse “zoti Trump tani duket se është i zënë duke trajtuar shumë çështje të tjera dhe Japonia është një lloj partneri i besueshëm që nuk i trazon gjërat”.
“Por duhet të presim dhe të shohim. Tani, realisht nuk mund t’I parashikojmë Shtetet e Bashkuara dhe si do të veprojnë ato”, shtoi ai. "Është një nivel pasigurie që Japonia nuk e ka përjetuar kurrë më parë".