Lidhje

SHBA, një gjykatëse tjetër ndalon përkohësisht zbatimin e urdhrit kundër shtetësisë automatike përmes lindjes 


Një gjykatëse federale e Shteteve të Bashkuara të mërkurën urdhëroi një pauzë të dytë të përkohshme të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund shtetësisë automatike për të gjitha ata që lindin në Shtetet e Bashkuara, prindërit e të cilëve ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme.

Gjykatësja federale Deborah Boardman tha se asnjë gjykatë në vend nuk e ka mbështetur interpretimin e Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane nga administrata e Presidentit Trump.

“Kjo gjykatë nuk do të jetë e para”, tha ajo.

Urdhri i ekzektuiv i javës së kaluar tashmë është pezulluar përkohësisht në nivel kombëtar për shkak të një padie të veçantë të ngritur nga katër shtete në shtetin e Uashingtonit, ku një gjykatës e quajti urdhrin "jokushtetues". Në total, 22 shtete, si dhe organizata të tjera, kanë ngritur padi në përpjekje për të penguar hyrjen në fuqi të urdhrit ekzekutiv.

Gjykatësja Boardman, e emëruar nga ish-presidenti Joe Biden, ra dakord për pezullimin e përkoshëm të urdhrit pas një seancë në gjykatën federale në Greenbelt të Merilendit. Kjo padi u ngrit nga organizata e Mbrojtëse së të drejtave të emigrantëve “CASA” dhe Projekti për Mbrojtjen e Azilkërkuesve, si dhe një pjesë e vogël e grave shtatzëna.

Në qendër të padive është Amendamenti i 14-të i Kushtetutës, i ratifikuar në vitin 1868, pas Luftës Civile në Shtetete e Bashkuara dhe vendimi i Gjykatës së Lartë mbi një rast për shtetësinë.

Amendamenti i 14-të u shtua pas Luftës Civile për të siguruar shtetësinë për ish-skllevërit dhe afrikano-amerikanët e lirë. Ai thotë: "Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që janë në juridiksionin e tyre, janë shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku ata banojnë".

Përveç 22 shteteve me prokurorë të përgjithshëm demokratë që kërkojnë pezullimin e urdhrit, 18 prokurorë të përgjithshëm republikanë njoftuan këtë javë se po përpiqen të mbrojnë urdhrin e presidentit duke iu bashkuar një prej padive federale të ngritura në Nju Hempshër.

Shtetet e Bashkuara janë mes rreth 30 vendeve, ku personat e lindur në vend kanë të drejt automatike të bëhen shtetas.

Gjatë javës së tij të parë në detyrë, Presidenti Trump nënshkroi 10 urdhra ekzekutivë për imigracionin dhe nënshkroi tre dekrete për të përmbushur premtimet për dëbime masive të imigrantëve të paligjshëm dhe forcimin e sigurisë kufitare.

Pasojat e disa urdhërave ekzektuivë u ndjenë menjëherë. Të tjerët përballen me sfida ligjore. Nëse mbeten në fuqi, urdhrat e tjerë mund të duhen vite për t’u zbatuar, por ato kanë rritur frikën në komunitetet e emigrantëve.

Zbatimi i axhendës së Presidentit Trump do të varet nga fondet. Kongresi së shpejti pritet të marrë në shqyrtim çështjen e financimit të qeverisë. Fondet aktuale të qeverisë do të skadojnë më 14 mars. Presidenti Trump mund të përdorë kompetencat emergjente për të shfrytëzuar Departamentin e Mbrojtjes për zbatimin e axhendës, siç bëri për ngritjen e një muri kufitar gjatë mandatit të tij të parë.

XS
SM
MD
LG