Policia suedeze njoftoi se rreth 10 persona, përfshirë autorin, u vranë gjatë një sulmi të armatosur të martën në një qendër edukative për të rritur. Sidoqoftë, deri në publikimin e lajmit ende nuk dihet shifra e saktë e të vrarëve dhe plagosurve.
Kreu i policisë lokale, Robert Eid Forest tha se dëmet në skenën e krimit janë aq të mëdha sa hetuesit ende nuk ishin në gjendje të përcaktonin shifrat e sakta të të vrarëve dhe plagosurve.
Ngjarja ndodhi në periferi të qytetit Orebro, rreth 200 kilometra në perëndim të Stokholmit. Sipas policisë, numri i viktimave mund të rritet.
Kreu i policisë tha për shtypin se i dyshuari si autor i sulmit ishte në mesin e të vrarëve. Policia beson se ai veproi i vetëm dhe se nuk ishte i njohur më parë për organet e rendit.
Shkolla “Campus Risbergska” është një institucion arsimor për individët mbi moshën 20 vjeçare, sipas faqes së saj në internet. Kjo shkollë, mes të tjerash, ofron edhe mësimin e gjuhës suedeze për emigrantët, trajnime profesionale dhe programe për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.
Në Suedi, dhuna me armë nëpër shkolla është një dukuri shumë e rrallë. Por gjatë viteve të fundit ka patur vrasje dhe plagosje me armë të ftohta.
Policia tha se deri tani nuk ka ndonjë dyshim që sulmi me armë të ketë lidhje me terrorizmin dhe se nuk kishte asnjë shenjë paralajmëruese përpara sulmit.
Kryeministri Ulf Kristersson do të mbajë një konferencë për shtyp në mbrëmje së bashku me Ministrin e Drejtësisë Gunnar Strömmer. Kryeministri tha më herët se: “ishte një ditë tejet e dhimbshme për të gjithë Suedinë”, sipas medias suedeze.
Të shtënat filluan pasi shumë nga studentët ishin larguar nga qendra pas një provimi në shkallë kombëtare. Shkolla u rrethua me makina policie dhe ambulanca ndërsa një helikopter fluturonte mbi skenën e krimit.
Mësuesja Lena Warenmark tha për rrjetin televiziv suedez “SVT News” se të martën pasdite pas provimit kishte jashtëzakonisht pak studentë në mjediset shkollore. Ajo tha gjithashtu se kishte dëgjuar ndoshta 10 të shtëna.
Studentët u strehuan në ndërtesat aty pranë, ndërsa pjesë të tjera të shkollës u evakuuan pas të shtënave, të cilat filluan rreth orës 12:30 sipas orës lokale.
Andreas Sundling, 28 vjeç, ishte mes atyre që u detyruan të fshiheshin brenda shkollës. “Dëgjuam tre të shtëna dhe britma të forta”, tha ai për gazetën “Expressen” ndërsa ishte strehuar në një klasë.