Tre fëmijë kanë humbur jetën në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës, rreth 80 kilometra larg Prishtinës, si pasojë e shembjes së një ndërtese të vjetër e të braktisur.
Policia e Kosovës tha se tre djem, dy të moshës 15 vjeç dhe njëri 14 vjeç, ishin brenda ndërtesës e cila u rrënua pasditen e së shtunës.
“Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave”, thuhet në njoftimin e policisë e cila tha se po kryen hetime rreth ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Gjakovë tha të dielën se ka hapur hetime nën dyshimet për sic thuhet "shkaktim të rrezikut të përgjithshëm", dhe në bashkërendim me policinë e Kosovës, “po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e këtij rasti”.
Familjarë të viktimave u thanë mediave lokale se sipas regjistrimeve të kamerave të sigurisë ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës ndërsa trupat e viktimave janë gjetur në orët e vona të natës. Ata thanë se ndërtesa e shembur ka qenë e pabanuar që nga përfundimi i luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Rasti ngjalli reagime të shumta dhe thirrje për hetimin dhe ndriçimin e ngjarjes.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë mori lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës. “Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre”, shkroi ajo.
Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca tha se është e dhimbshme dhe e papërshkrueshme humbja e jetëve të tre të miturve ndërsa bëri thirrje “që në kohën sa më të shpejtë të ketë hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit”.
Edhe kryetarë të partive politike në Kosovë shprehën pikëllimin për ngjarjen duke kërkuar nga autoritetet e rendit që të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat.