Lidhje

Studentët bllokojnë urat në Novi Sad për të shënuar 3 muaj nga shembja vdekjeprurëse e çatisë në stacionin e trenit


Studentët e universiteteve të Serbisë organizuan një protestë masive në rrugë dhe bllokuan tri ura mbi lumin Danub të shtunën në qytetin verior të Novi Sadit, për të shënuar tre muaj që kur një çati betoni u rrëzua në një stacion treni në atë qytet, duke lënë pas vetes 15 të vdekur.

Shembja e çatisë më 1 nëntor të vitit të kaluar, nxiti një lëvizje të gjerë kundër korrupsionit dhe protesta në rrugë me muaj të tërë të organizuara nga studentët kundër autoriteteve populiste në vendin ballkanik.

Shumë në Serbi besojnë se shembja ishte në thelb pasojë e korrupsionit të qeverisë në një projekt të madh infrastrukturor me kompani shtetërore kineze.

Kritikët besojnë se korrupsioni çoi në një punë të ngadaltë gjatë rindërtimit të stacionit të trenit në Novi Sad, mbikëqyrje të dobët dhe mosrespektim të rregulloreve ekzistuese të sigurisë. Çështja u shndërrua në simbol të pakënaqësisë më të gjerë mbi sundimin e ligjit në Serbi.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Novi Sad për bllokadat, me moton "Tre muaj - Tri ura". Bllokada e njërës prej urave do të zgjasë deri të dielën pasdite.

Rrugët që çojnë në qytet ishin të bllokuara me makina përpara tubimit ndërsa protestuesit po përpiqeshin të arrinin në Novi Sad nga Beogradi dhe qytete të tjera të Serbisë.

Fermerët me traktorë lëviznin të shtunën para tre kolonave të veçanta studentore që shkonin drejt tre urave dhe mijëra banorë po brohorisnin gjatë rrugës. Shumë prej tyre mbanin flamuj serbë ose pankarta ku shkruhej "Tre muaj" ose "Ne po mbrojmë lirinë".

Studentët e universitetit morën rolin kryesor në protestat që janë shndërruar në sfidën më serioze në vite për udhëheqësin e fuqishëm populist të vendit, Presidentin Aleksandar Vuçiç.

Protestat e vazhdueshme detyruan kryeministrin Milosh Vuçeviç të jap dorëheqje në fillim të kësaj jave dhe çuan në lëshime të ndryshme nga qeveria populiste e cila po përpiqet të shuajë rezistencën në rritje.

Mijëra veta dolën në rrugë të premten në mbrëmje për të mirëpritur qindra studentë nga Beogradi, që kishin ecur për dy ditë për t'iu bashkuar bllokadave të urave.

Studentët nga Novi Sadi shtruan një tapet të vogël të kuq për turmën e Beogradit ndërsa mijëra përshëndesnin dhe shumë qanin, duke ilustruar emocionet e larta mbi aksidentin e nëntorit dhe ndjenjën e solidaritetit dhe bashkimit me protestat.

Përveç Novi Sadit dhe Beogradit, protesta të përditshme dhe bllokada të trafikut janë mbajtur në gjithë Serbinë, shpesh të përshkuara nga incidente, duke përfshirë shoferë që përplasën makinat mbi protestuesit.

Një incident i tillë ndodhi në Beograd të premten, duke lënë pas vetes dy gra të plagosura.

Duke mbajtur kurora lulesh me emrat e 15 viktimave, studentët nga Novi Sadi dhe Beogradi të premten ecën së bashku drejt ndërtesës së stacionit për të nderuar ata që humbën jetën në aksident.

Gjatë udhëtimit prej 80 kilometrash për në Novi Sad të enjten dhe të premten, studentët nga Beogradi u përshëndetën nga qytetarë që u binin borive të makinave ose dolën nga shtëpitë e tyre për të ofruar ushqim dhe pije.

Qindra njerëz me biçikleta dhe motoçikleta u nisën veçmas drejt Novi Sadit të premten, ndërsa shoferët e taksive të Beogradit thanë se do të shkonin atje gjithashtu për t’i kthyer studentët në shtëpi të dielën.

Dunja Grabos, një studente nga Novi Sadi, tha se ndjehet krenare për protestuesit nga të dy qytetet. "Nuk është e lehtë. Ata çalojnë, kanë flluska dhe dhimbje në këmbët e tyre”.

XS
SM
MD
LG