6 persona vdiqën pas rrëzimit të një avioni ambulancë në Filadelfia të Pensilvanisë, rreth 30 sekonda pasi ishte ngritur në ajër. Ngjarja ndodhi rreth orës 6 të pasdites të së premtes, sipas orës lokale.
Në bordin e avionit gjendej një paciente, nëna e saj dhe 4 anëtarë ekuipazhi. Pacientja kishte ardhur nga Meksika për t’u kuruar për një sëmundje që i rrezikonte jetën dhe po transportohej për në shtëpi.
Të 6 personat ishin nga Meksika. Destinacioni përfundimtar i avionit ishte qyteti Tijuana në Meksikë.
Presidentja e Meksikës konfirmoi vdekjen e tyre dhe shprehu ngushëllimet për familjet.
Avioni i tipit “Learjet 55” shpërtheu në flakë duke dëmtuar disa shtëpi në një kryqëzim të ngarkuar të qytetit. Autoritetet njoftojnë për të paktën 6 të plagosur. Tre prej tyre kanë dalë nga spitali.
Shpërthimi ndodhi rreth më pak se 5 kilometra nga aeroporti verilindor i Filadelfias, i cili shërben kryesisht për avionët e biznesit.
Avioni i tipit “Learjet 55” u zhduk nga radarët pak pas ngritjes nga aeroporti në orën 18:06 dhe pasi arriti në një lartësi prej 487 metrash. Avioni po udhëtonte drejt qytetit të Springfildit në Mizuri ku do të furnizohej me lëndë djegëse.
Përplasja vjen dy ditë pas katastrofës më vdekjeprurëse të aviacionit në vend në pothuajse 25 vjet. Një avion i kompanisë “American Airlines” me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit u përplas në ajër të mërkurën mbrëma në Uashington me një helikopter të ushtrisë amerikane me tre ushtarë në bord.
Nuk pati asnjë të mbijetuar nga ky aksident.