Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij para më shumë se një viti, u deklarua i pafajshëm të premten para një gjykate në Prishtinë. Dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava nuk pranuan të deklarohen rreth fajsisë, ndërkaq i akuzuari i katërt e pranoi fajsinë për shitje të armës me të cilën është kryer vrasja.
Me 29 nëntor të vitit 2023, Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një makinë. Fillimisht u tha se bëhej fjalë për veprën “grabitje” që çoi në vrasje. Bashkëshorti i kishte thënë policisë se vrasja ndodhi gjatë një përpjekjeje për plaçkitje në makinën e tij ku ishte me gruan dhe dy fëmijët.
Sipas Prokurorisë, e cila ngriti aktakuzën para më shumë se dy javësh, vrasja e 30 vjeçes ishte planifikuar nga Naim Murseli, ndërkaq Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava ishin ekzekutues të planit. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, që sipas prokurorisë dyshohet se ia kishte shitur armën Naim Murselit, u dënua me pesë vjet heqje lirie dhe 5 mijë euro gjobë.
“I pandehuri i parë Naim Murseli për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje, ka bërë planin ta largojë Liridonën nga jeta e tij. Andaj pas datës 25 qershor të vitit 2022 kur është paguar polisa e sigurimit jetësor në emër të Liriona Murseli, në shumë prej 3 milionë kruna suedeze me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë Kushtrim Kokallës ia ka shpaluar planin e likuidimit të bashëkshortes së tij dhe ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj”, tha prokurorja e këtij rasti Javorka Perlinçeviç duke shtuar se “më pas Kushtrim Kokalla fillimisht ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Plavën dhe e ka takuar me Naim Murselin dhe të tre janë pajtuar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi të ia paguaj kompensimin në shumën 30 mijë euro”.
Prokuroria tha se vrasja ishte inskenuar si grabitje duke dhënë hollësi të tjera nga ngjarja që kishte ndodhur në periferi të Prishtinës, ndërsa në makinë ishin të pranishëm edhe dy fëmijët e çiftit, të moshës katër dhe gjashtë vjeç.
“Naimi në mënyrë dinake vë dorën e tij të djathtë duke e mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit. Më pas Naimi me fëmijët ka dalur nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha zonja Perlinçeviç.
Vrasja e Liridona Ademajt kishte nxitur reagime të ashpra e protesta në Kosovë, ku dhuna në familje, që kryesisht është dhunë ndaj gruas, mbetet një dukuri shqetësuese dhe veprimtarët në vazhdimësi tërheqin vërejtjen se rastet e përsëritura po shndërrohen në femicid.
“Femicidi është rritur dhe u takon të gjitha partive politike që ta adresojnë. Vetëm në katër vitet e fundit i kemi diku 20 raste të femicidit por nuk e kemi parë të trajtuar as si hapësirë”, tha Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore në një bisedë me Zërin e Amerikës.
Ajo vlerëson se trajtimi i kësaj dukurie nuk është përfshirë as në programet e partive politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, në të cilat këndvështrimi gjinor përqendrohet kryesisht në aspekte të riprodhimit.
“Te disa përgjegjësi që i mveshen gruas, kryesisht të tilla si nëse lind fëmijën e tretë do të kesh këtë apo atë pagesë, por nuk është drejtëpërdrejtë dicka që gratë të lirohen nga stereotipet, që të punohet për dhunën për t’u krijuar kushtet që një grua të jetoj me dinjitet dhe integritet brenda familjes”, thotë ajo.
Sipas të dhënave nga policia e Kosovës cdo vit regjistrohen mbi dy mijë e 500 raste të dhunës në familje.