Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani bëri thirrje të enjten për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse në një kohë kur siç tha, sulmet hibride vazhdojnë të jenë një sfidë reale për qëndrueshmërinë kombëtare.
Ajo i bëri këto komente gjatë një konference të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën "Qëndrueshmëria kombëtare – sfidat dhe rruga përpara", gjatë së cilës theksoi se siguria nuk nënkupton vetëm mungesën e kërcënimeve, por aftësinë për t’u përballur me sfida të ndryshme.
“Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara edhe qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme. Mbrojtja nga sulmet hibride poashtu është e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme në theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të rëndësishme”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se në këtë drejtim, investimi i vazhdueshëm në armatim si dhe në personelin ushtarak është thelbësor për sigurinë.
“Kosova ka treguar se vazhdimisht ka qenë dhe është faktor stabiliteti e paqeje në rajon. Por siguria nuk është një gjendje statike por një përpjekje e vazhdueshme. Ne duhet të ndërtojmë një kulturë të qëndrueshme kombëtare ku secili prej nesh është i vetëdijshëm për rolin, mbrojtjen dhe forcimin e shtetit tonë”, tha ajo.
Drejtori i Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, Gjeneral brigade Christian Nawrat tha se për t'u bërë një shoqëri e qëndrueshme, autoritetet civile dhe ushtarake duhet të krijojnë aftësi për identifikimin, vlerësimin dhe trajtimin e informacionit armiqësor.
“Aftësia për të komunikuar me shpejtësi, saktësi dhe vërtetësi janë çelësi i qëndrueshmërisë në kohë paqeje dhe kaosi. Nëse ju nuk tregoni historinë tuaj, dikush tjetër do ta tregojë atë për ju”, tha ai duke nënvizuar rëndësinë bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve në Kosovë.
“Ndërtimi i qëndrueshmërisë efektive përmes gatishmërisë civile kërkon angazhim aktiv, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga sektori privat, i cili zotëron pjesën më të madhe të infrastrukturës kritike për funksionet thelbësore shoqërore dhe ushtarake. Bashkëpunimi si me sektorin ushtarak ashtu edhe me shoqërinë civile është një rrugë drejt së ardhmes”, tha ai.
Autoritetet në Kosovë thonë se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse si dhe integrimi në NATO mbetën përparësi strategjike e kombëtare.