Ish-senatori demokrat Bob Menendez përballet me gjasa të mëdha me një masë të ashpër dënimi me burg.
Ai u shpall fajtor ndër të tjera për abuzim me pushtetin. Prokurorët e akuzuan atë se kishte marrë në formë ryshfeti qindra mijëra dollarë, kallëpe ari dhe një makinë.
Prokurorët i kanë kërkuar gjykatësit federal që ta dënojë atë me 15 vjet heqje lirie, nën akuza që përfshijnë edhe veprime të tij në shërbim të qeverisë egjiptiane.
Por avokatët e zotit Menendez thonë se ai meriton më pak se dy vjet burg, duke përmendur dekadat e tij të tëra në shërbim të publikut e si djalë i një familje imigrantësh kubanë, që u ngrit nga varfëria për t'u bërë "mishërim i ëndrrës amerikane".
Të mërkurën në mëngjes, gjykatësi Sidney H. Stein sinjalizoi se dënimi ndaj ish-senatorit do të jetë më i rreptë, pasi njoftoi dënimin me shtatë vjet burg për Fred Daibes, 67 vjeç, një nga dy biznesmenët e Nju Xhersit, i cili u shpall fajtor se i kishte dhënë ryshfet senatorit Menendez.
Prokurorët kishin kërkuar për të një dënim me nëntë vjet heqje lirie, ndërsa avokatët e tij thanë se ai duhej të dënohej me më pak se dy vjet burg.
Po kështu gjykatësi Stein e gjobiti zotin Daibes, një investitor në fushën e pasurive të paluajtshme, me një gjobë prej 1.75 milionë dollarësh.
Para shpalljes së dënimit, zoti Daibes, me lot në sy, i tha gjykatësit se vendimi i jurisë ishte "në kufijtë e një dënimi me vetëvrasje" duke i bërë thirrje atij të ketë mëshirë, në mënyrë që të kujdesej për djalin e tij 30-vjeçar autik.
Po kështu gjykatësi shpalli masën e dënimit me tetë vjet heqje lirie për biznesmenin e dytë, Wael Hana, dhe e gjobiti atë me 1.25 milionë dollarë.
Para vendimit, zoti Hana i tha gjykatësit se ishte i pafajshëm. Ai shtoi se nuk i kishte dhënë kurrë ryshfet senatorit Menendez, apo të kishte kërkuar shërbimet e tij.
Një biznesmen i tretë u deklarua fajtor dhe dëshmoi kundër zotit Menendez në gjykatë, vitin e kaluar.
Zoti Menendez dha dorëheqjen nga Senati pas shpalljes fajtor vitin e kaluar.
Ai humbi shumë nga pushteti i tij që në vjeshtën e vitit 2023, ndërsa u bënë publike akuzat kundër tij dhe u detyrua të jepte dorëheqjen nga pozita e rëndësishme në Senat e kreut të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.