Lidhje

Sekretari i Mbrojtjes i heq çertifikatën dhe personelin e sigurisë, ish-ushtarakut më të lartë të Pentagonit


Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth i ka hequr personelin që i garatonte mbrojtjen dhe çertifikatën e sigurisë, ish-Shefit të Shefave të Shtabit të Bashkuar, Gjeneralit Mark Milley.

Po kështu zoti Hegseth ka urdhëruar inspektorin e përgjithshëm të Pentagonit, që të hetojë veprimet e zotit Milley në detyrë, si ushtaraku më i lartë i vendit, për të përcaktuar nëse ai ka bërë shkelje që mund të çojnë në një ulje të tij në gradë.

Lajmi u konfirmua nga dy zyrtarë të mbrojtjes të martën në mbrëmje.

Zëdhënësi i Pentagonit John Ullyot tha se inspektori i përgjithshëm pritet të hetojë mbi faktet dhe rrethanat që lidhen me sjelljen e gjeneralit Milley, në mënyrë që sekretari i mbrotjes të përcaktojë nëse nevojitet një rishikim i gradës së tij.

Zoti Ullyot tha se zoti Hegseth e kishte informuar gjeneralin Milley mbi vendimet.

Zoti Milley shërbeu në detyrën e Shefit të Shefave të Shtabit të Bashkuar gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump.

Fillimisht raportet mes tyre ishin të mira, por ato u përkeqësuan thellë dhe me shpejtësi, pasi gjenerali Milley u përpoq ta këshillonte dhe të pengonte veprimet e zotit Trump, për një sërë çështjesh.

Ai iu kundërvu presidentit kur ky i fundit foli për përdorim të forcës për të shuar protestat që përfshinë vendin pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, në duart e policisë.

Zoti Milley ndërkohë u vu në qendër të një polemike në vitin 2021, për shkak të një telefonate pa dijeninë e Shtëpisë së Bardhë me homologun e tij kinez.

Zoti Trump e quajti telefonatën një akt tradhtie, por në atë kohë zoti Milley tha se ato ishin biseda rutinë dhe pjesë e punës së tij.

Në ditët e tij të fundit në detyrë, që përkuan me ardhjene e administratës së re Biden dhe ndërsa zoti Trump ishte larguar nga detyra, zoti Milley i shprehu hapur qëndrimet e tij kundër ish-presidentit Trump.

Në ceremoninë zyrtare me rastin e daljes në pension ai tha se “ne nuk betohemi para një mbreti, mbretëreshe, një tirani apo një diktatori. Ne nuk betohemi as para dikujt që dëshiron të bëhet diktator. Ne nuk betohemi para një individi, por përpara Kushtetutës. Ne jemi të gatshëm të vdesim për ta mbrojtur atë”, tha ai në atë kohë.

Joe Kasper, shefi i kabinetit të Sekretarit të Mbrotjes, Hegseth, tha se vendimi për t'i hequr gjeneralit Milley, personelin dhe çertifikatën e sigurisë, u mor për shkak të asaj që ai e cilësoi "minim i zinxhirit komandues, që dëmton sigurinë tonë kombëtare”.

Lajmi mbi gjeneralin Milley u njoftua fillimisht nga rrjeti televiziv ‘Fox News’. Si pjesë e masave kundër tij mund të përfshihet gjithashtu edhe heqja e portretit të tij si Shef i Shtabit të Forcave Tokësore të Ushtrisë.

Fotografia e tij si Shef i Shefave të Shtabit të Bashkuar u hoq vetëm disa orë pas betimit të Presidentit Trump.

Të dy portretet ishin paguar nga Shoqata e Ushtrisë dhe jo nga paratë e taksapaguesve dhe ishin dhuratë për gjeneralin Milley, një nderim për shërbimin e tij.

XS
SM
MD
LG