Lidhje

Trump shkarkon inspektorët e pavarur nga agjencitë qeveritare


Presidenti Donald Trump zbret nga avioni presidencial në aeroportin 'Harry Reid' në Las Vegas, në Nevadë, më 24 janar, 2025/AP
Presidenti Donald Trump zbret nga avioni presidencial në aeroportin 'Harry Reid' në Las Vegas, në Nevadë, më 24 janar, 2025/AP

UASHINGTON – Administrata e Presidentit Trump shkarkoi 17 inspektorë të përgjithshëm të pavarur nga agjencitë qeveritare, duke hequr autoritetin mbikëqyrës ndaj administratës së tij të re, që disa ligjvënës sugjerojnë se është bërë në kundërshtim me ligjet amerikane.

Shkarkimet filluan të premten në mbrëmje dhe hynë menjëherë në fuqi, sipas dy zyrtarëve në dijeni të këtyre masave, që folën me kusht që të mos identifikohen. Asnjëri nga ta nuk e ka konfirmuar numrin e saktë të të shkarkuarve, por një e-mail i një prej inspektorëve të shkarkuar theksonte se “rreth 17” inspektorë janë larguar.

Presidenti Donald Trump e konfirmoi vendimin gjatë një bisede me gazetarët në aeroplanin presidencial të shtunën, duke pohuar se “është një gjë tejet e zakonshme”. Ai tha se “do të vendoste aty njerëz të mirë dhe se kjo do të ishte një gjë shumë e mirë”.

Kongresi nuk u njoftua 30 ditë para shkarkimeve siç e kërkon ligji – një çka është kritikuar edhe nga një zyrtar i lartë republikan.

“Ndoshta ka arsye përse janë shkarkuar inspektorët e përgjithshëm. Duhet ta dimë nëse ka një arsye të tillë”, deklaroi Senatori Chuck Grassley, kryetar i Komisionit për Çështje Ligjore të Senatit, përmes një deklarate. “Na duhet një sqarim nga Presidenti Trump. Po ashtu Kongresi nuk u njoftua 30 ditë përpara për largimin e tyre, siç kërkohet me ligj”, deklaroi senatori nga Ajova.

Roli i inspektorit të përgjithshëm në Uashington, në kohërat moderne, daton që nga skandali ‘Watergate’, kur Kongresi vendosi krijimin e zyrave të pavarura brenda agjencive federale, si formë për të parandaluar menaxhimin e keq dhe abuzimet. Ndonëse inspektorët e përgjithshëm janë të emëruar të presidentit, disa prej tyre u shërbejnë presidentëve nga dyja partitë. Ata pritet të jenë politikisht neutralë.

Senatori republikan Lindsey Graham e pranoi po ashtu se shkarkimet shkelen ligjet në fuqi, por e kaloi me lehtësi duke u shprehur: “Bëjuani të ditur që herën tjetër ta respektojnë ligjin”, deklaroi ai.

Demokratët dhe organizatat e angazhuara për të vëzhguar këto çështje, megjithatë, i shfrytëzuan shkarkimet për të ngritur alarmin se Presidenti Trump po përpiqet ta bëjë më të lehtë shfrytëzimin e qeverisë.

“Inspektorët e përgjithshëm janë policë që parandalojnë që të ndodhin gjëra të këqija”, deklaroi presidenti i organizatës jopolitike ‘Partneriteti për Shërbimin Publik”, Max Stier, përmes një deklarate. “Puna e tyre i kursen dhjetëra miliarda dollarë çdo vit të taksapaguesve”.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi lidhur me këtë çështje të shtunën. Presidenti Trump ishte në Las Vegas, ku mbajti një fjalim që u përqendrua në premtimin e fushatës së tij për t’i dhënë fund tatsimit të bakshishit që marrin punëtorët e sektorëve të shërbimit, si në restorante apo kazino.

Por, ky veprim i shtohet një mori hapash të tjerë që presidentit i mori gjatë javës së tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, të cilat u interpretuan si veprime që synojnë ribërjen e qeverisë federale. Presidenti Trump ka firmosur urdhra ekzekutivë për të ngrirë punësimet dhe për t’u dhënë fund nismave për barazi dhe përfshirje gjinore, racore e seksuale, ka sugjeruar se dëshiron ta mbyllë Agjencinë Federale për Menaxhimin e Emergjencave, FEMA për t’ua lënë shteteve individuale t’u përgjigjen katastrofave dhe emergjencave të përmasave të mëdha.

“Dje, në mes të natës, Presidenti Trump shkarkoi të paktën 12 inspektorë të përgjithshëm të agjencive të rëndësishme federale në tërë administratën”, tha udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer. “Ky është një spastrim që të fut frikën dhe është një shembull i qasjes së pabazuar në ligj që Donald Trump dhe administrata e tij po ndjekin shpesh që kur ai u bë president”.

Senatori Schumer tha se shkarkimet ka “mundësi të janë në kundërshtim me ligjin federal” dhe demonstrojnë “një shenjë të qartë se kjo është epoka e artë e abuzimit dhe e korrupsionit në qeveri”.

Gazeta ‘Washington Post’, e para që raportoi shkarkimet, tha se shumë nga ata ishin të emëruar nga vetë zoti Trump gjatë mandatit të parë. Në mesin e inspektorëve të përgjithshëm të shkarkuar janë ata nga departamenteve të bujqësisë, tregtisë, mbrojtjes dhe arsimit.

Në një deklaratë të gjatë, të lëshuar të shtunën, Hannibal Ware, kryetar i Këshillit të Inspektorëve të Përgjithshëm për Integritet dhe Efikasitet, një entitet i pavarur që përfaqëson interesat e inspektorëve të qeverisë, tha se inspektorët e përgjithshëm e kryejnë misionin e tyre “të mbikëqyrjes në mënyrë neutrale. Ata emërohen, bazuar në ligj, pa patur parasysh përkatësinë e tyre politike dhe gjatë mandatit të tyre, ata punojnë me administratat dhe me Kongresin, pavarësisht partisë politike”.

Ai sugjeroi se shkarkimet bien ndesh me parimet ligjore, sipas të cilave presidentët duhet të njoftojnë Kongresin 30 ditë para se të shkarkojnë inspektorin e përgjithshëm dhe të japin një arsyetim të detajuar për vendimin e tyre.

“Inspektorët nuk janë të pashkarkueshëm. Megjithatë, ligji duhet të respektohet për të mbrojtur mbikëqyrjen e pavarur të qeverisë në Amerikë”, sipas deklaratës.

Në mesin e atyre që nuk u shkarkuan, është Michael Horowitz, inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, i cili hartoi raporte rreth hetimeve penale për disa çështje politike të bujshme të dekadës së fundit.

Në dhjetor të vitit 2019, për shembull, zoti Horowitz publikoi një raport që fajësonte Agjencinë Federale të Hetimeve, FBI, për kërkesat për të autorizuar përgjime për dyshimet për lidhje ndërmjet Rusisë dhe fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016. Por raporti gjithashtu gjeti që hetimet ishin hapur për shkak të një arsye legjitime dhe se nuk kishte hasur në prova se hetimet kishin nisur për motive partiake.

“Michael Horowitzin do ta mbajmë”, deklaroi Presidenti Trump të shtunën, duke i quajtur gjetjet e tij të vitit 2019 si “raport i saktë dhe shumë mirë i përgatitur”.

Veprimi i Presidentit Trump ndaj inspektorëve të përgjithshëm u kritikua nga ligjvënësit demokratë.

Senatorja demokrate nga Minesota, Amy Klobuchar tha se roli i inspektorëve është “kritik për të çrrënjosur praktikat e mashtrimit dhe abuzimit në qeverinë federale”. Shkarkimet në masë “janë alarmuese” shtoi ajo.

Ligjvënësi demokrat nga Virxhinia, Gerald Connolly, i cili është anëtar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrje dhe Reformë të Qeverisë, i quajti shkakrkimet “puç për të përmbysur inspektorët e përgjithshëm të pavarur të cilët janë të mbrojtur nga ligji”.

Ai gjithashtu sugjeroi se ky veprim – që u bë në ditën e katërt të mandatit të dytë të zotit Trump – do të krijojë mundpsi që vendet bosh të mbushen me njerëz të besueshëm, që janë përkrahës të administratës së zotit Trump.

Megjithatë, Presidenti Trump edhe në të kaluarën ka sfiduar autoritetin e agjencive të pavarura.

Në vitin 2020, ai zëvendësoi disa inspektorë të rëndësishëm të përgjithshëm, përfshirë ata në Departamentin e Mbrojtjes dhe në agjencitë e zbulimit, si dhe inspektorin e përgjithshëm i cili ishte caktuar të drejtonte bordin e mbikëqyrjes së paketës për lehtësime ekonomike me vlerë prej 2.2 trilionë dollarë gjatë pandemisë së COVID-19.

Senatorja demokrate Elizabeth Warren i quajti veprimet e Presidentit Trump “spastrim të inspektorëve të pavarur në mes të natës”.

“Inspektorët e përgjithshëm janë të ngarkuar për të shmangur shpenzimet e tepruar qeveritare, mashtrimin, abuzimin dhe për të parandaluar keqpërdorimin”, shkroi Senatorja Warren në platformën X. “Presidenti Trump po shpërbën mbikëqyrjen ndaj pushtetit të tij dhe po i hap rrugë korrupsionit gjithëpërfshirës”, tha ajo.

XS
SM
MD
LG