Lidhje

80 vjetori i çlirimit të kampit të Aushvicit


Me ceremoni të shumta bota po shënon 80 vjetorin e çlirimit të kampit nazist të Aushvicit, në atë që njihet edhe si “Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit”.

Në këto tubime po marrin pjesë edhe të mbijetuar të gjenocidit, si Naftali Furst. 92-vjeçari kujton tmerrin që përjetoi në kampin famëkeq të Aushvicit në Poloninë jugore, ku forcat naziste vranë rreth 1.1 milion njerëz, shumica e të cilëve hebrenj.

80 vjetori i çlirimit të kampit të Aushvicit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

I mbijetuari i Holokaustit, Naftali Furst nuk do ta harrojë kurrë momentin kur pa për herë të parë kampin e përqendrimit ‘Auschwitz-Birkenau’ në jug të Polonisë, më 3 nëntor të vitit 1943, kur ishte vetëm 12 vjeç.

Ai së bashku me nënën, babain, vëllain dhe mbi 80 persona të tjerë u sollën aty nga ushtarët nazistë me një makinë për transportimin e bagëtive.

Pasi u hapën dyert e makinës, ai pa flakën dhe tymin që po dilte nga oxhaqet e larta të krematoriumeve. Ai kujton të lehurat e qenve dhe oficerët që bërtisnin në gjuhën gjermane ‘dilni jashtë’.

“E dinim se po shkonim drejt vdekjes së sigurt”, tha ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Ai dhe familja e tij mbërritën në kampin e Aushvicit një ditë pasi urdhëheqësi nazist Heinrich Himmler urdhëroi ndalimin e përdorimit të dhomave me gaz, ndërsa trupat sovjetike po afroheshin.

Ky urdhër bëri që familja me origjinë nga Bratisllava e ish-Çekosllovakisë, të mos vritej menjëherë.

“Po të kishim ardhur dy-tre ditë më herët, unë dhe vëllai im nuk do të kishim mbijetuar, sepse ishim fëmijë. Nuk kishim shanse për të mbijetuar”, rrëfen zoti Furst.

Ai dhe vëllai i tij Shmuel, të cilët gjatë qëndrimit në Aushvic ishin ndarë nga prindërit, u detyruan të bashkoheshin në një marsh vdekjeje drejt kampit ‘Bukenvald’. Në mënyrë që të jetonin, ata u desh të ecnin për tre ditë në të ftohtë dhe borë. Kushdo që ngelej pas pushkatohej.

“Gjatë gjithë marshit të vdekjes shihnim njerëz të plagosur e të vrarë në kanale. Ishte ferr. Kur më pyet dikush se çfarë është ferri i them se ky është ferri: Jeni duke ecur, i uritur, i etur, pa fije shprese... sheh kufomat dhe qan... ky është Holokausti”, thotë ai.

Të dy vëllezërit i mbijetuan marshit, por u ndanë në kampin tjetër.

Në këtë fotografi të njohur të laureatit të çmimit Nobel, Eli Wiesel, shihet i mbijetuari Furst pas çlirimit të kampit Bukenvald. Ai mendonte se të gjithë familjarët e tij ishin vrarë.

Para se të ndaheshin, babai e tij e kishte udhëzuar që në rast se mbijetonte, të shkonte në një adresë në Bratisllavë dhe pikërisht aty, pak muaj pas çlirimit, familja katër anëtarëshe u ribashkua. Pjesa tjetër e familjes – gjyshërit, hallat, xhaxhallarët ishin vranë të gjithë.

Më vonë ai u zhvendos në Izrael, ku u martua dhe ka një vajzë si dhe katër nipër e mbesa.

92 vjeçari Furst u kthye në Aushvic për të shënuar 80 vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes.

“Holokausti ynë nisi më 1938, kur isha gjashtë vjeç. Nga mosha nëntë vjeçare deri në moshën 12 vjeçare, kam qenë në katër kampe përqëndrimi. Pra, gjithmonë kam jetuar në pasiguri dhe frikë. Ndonjëherë më shumë, ndonjëherë më pak, por unë nuk kisha një jetë normale”, thonë zoti Furst.

Ai së bashku me të mbijetuar të tjerë të Holokaustit shkuan tek i ashtuquajturi ‘Muri i Vdekjes’, ku nazistët ekzekutonin të burgosurit.

Forcat naziste gjermane vranë rreth 1.1 milion njerëz në kampin e Aushvicit. Shumica e viktimave ishin hebrenj , por gjermanët vranë po ashtu shumë polakë, romë, të burgosur sovjetikë të luftës, homoseksualë dhe të tjerë që ishin në shënjestër për t’u eliminuar sipas ideologjisë racore naziste.

Në total, nazistët vranë 6 milionë hebrenj nga e gjithë Evropa, duke shfarosur dy të tretat e hebrenjve të Evropës dhe një të tretën e të gjithë hebrenjve në mbarë botën.

Trupat e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike çliruan kampin Aushvic-Birkenau më 27 janar të vitit 1945 dhe kjo ditë është bërë e njohur si ‘Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit’.

XS
SM
MD
LG