Këshilli i Bashkimit Evropian emëroi të hënën zyrtarisht diplomatin danez Peter Sorensen si të dërguarin e saj të Posaçëm për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Zoti Sorensen zëvendëson në këtë post diplomatin sllovak Miroslav Lajçak, mandati i të cilit përfundon më 31 janar, pa ndonjë rezultat të dukshëm.
Në një njoftim të Këshillit Evropian thuhet se “detyrat e Përfaqësuesit të ri të posaçëm të Bashkimit Evropian do të jenë të lehtësojë dialogun që do të kontribuojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj të miratuar në shkurt dhe Mars 2023”.
Zoti Sorensen do të marrë detyrën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh.
Diplomati danez Sorensen ka një përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka shërbyer si këshilltar i Lartë i Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në misionin e UNMIK-ut në Kosovë si dhe në misione tjera në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe në Serbi.
Pararendësi i tij, Miroslav Lajçak që pritet përfundojë mandatin në fund të janarit, ishte emëruar në këtë post në prill të vitit 2020 dhe nën ndërmjetësimin e tij Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre në Bruskel dhe Ohër dy vite më parë.
Marrëveshja e arritur në shkurt dhe mars të vitit 2023, parasheh mes tjerash që Prishtina të fillojë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia të njohë de fakto pavarësinë e Kosovës.
Por, zbatimi i marrëveshjes ka ngecur dhe përpjekjet për të ripërtërirë procesin e zbatimit të saj nuk shënuan ndonjë përparim dhe Kosova u gjet nën kritika të diplomacisë perëndimore për shkak të veprimeve të saj në veriun e banuar me shumicë serbe.
Kosova muajin që vjen do të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare dhe një rifillim i bisedimeve nuk pritet deri sa të formohen institucionet e reja të saj.