Qindra mijëra palestinezë u nisën në drejtim të pjesës veriore të Rripit të Gazës sot pasi Izraeli hoqi bllokadën në këtë pjesë, për herë të parë që nga fillimi i luftës 15 mujore me Hamasin, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit, e cila po hyn në javën e dytë, një fazë më e vështirë, gjatë të cilës palët duhet të negociojnë për lirimin e 60 pengjeve të tjera në këmbim të një përfundimi të plotë të luftës.
Turma të tëra të palestinezëve të zhvendosur filluan të ktheheshin në pjesën veriore të Gazës të hënën, pasi Izraeli hoqi pengesat si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimit të pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi.
Të zhvendosurit, duke mbajtur sende personale, ecnin nëpër rrugën kryesore përgjatë bregut të detit. Shumë prej tyre u përballën me një pamje apokaliptike të shkatërrimeve në këtë pjesë të Gazës.
“Kjo është shtëpia jonë, një grumbull rrënojash. Nuk morën me vete as para, as veshmbathje e as gjëra tjera, i lamë të gjitha këtu, nën këto rrënoja. I lamë tendat prapa dhe erdhëm këtu në tenda të tjera. Kjo ishte shtëpia jonë katër kate, por nuk është më”, tha njëri nga palestinezët e kthyer.
Disa e konsideruan kthimin e tyre si akt qëndrueshmërie ndaj fushatës ushtarake të Izraelit, që u shkaktua si rezultat i sulmit të Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite më 7 tetor të vitit 2023 dhe ndaj deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkoi gjatë fundjavës nga Egjipti dhe Jordania të pranonin më shumë refugjatë palestinezë nga Gaza për të mundësuar një fillim të ri në Gazë.
“Do të dëshiroja që Egjipti dhe Jordania të marrin më shumë njerëz. Po flasim për rreth një milion e gjysmë njerëz dhe mund ta pastrojmë të tërin. Diçka duhet të ndodhë. Tani është një gërmadhë. Pothuajse e tëra është e shkatërruar”, deklaroi Presidenti Trump nga aeroplani presidencial.
Por Egjipti dhe Jordania, të dyja shtetet me ekonomi të paqëndrueshme dhe me shqetësime se një fluks i tillë i refugjatëve palestinezë do të destabilizojë qeveritë e tyre, e kundërshtuan një propozim të tillë. Krahas palestinezëve, ato kanë shprehur shqetësimet e tyre se Izraeli nuk do të lejojë më kthimin palestinezëve që largohen nga Gaza.
Komentet e Presidentit Trump erdhën ndërkohë që Hamasi liroi katër ushtare izraelite, të cilat po mbaheshin peng në Gazë në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë, në mesin e të cilëve 121 të dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjatë fundjavës, Presidenti Trump hoqi bllokadën për dërgesat e bombave 907 kilogramëshe Izraelit, të cilën e kishte vendosur administrata e Presidentit Biden.
“Ju falemnderit, President Trump, që po mbani premtimin tuaj për t’i dhënë Izraelit mjetet që i duhen për ta mbrojtur veten, për t’u përballur me armiqtë tanë të përbashkët dhe për të siguruar një të ardhme paqësore”, tha Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Në javën e parë, marrëveshja e armëpushimit ndërmjet Hamasit dhe Izraelit ka hasur në pengesa, të cilat u tejkaluan me angazhimin e Katarit. Por me fillimin e javës së dytë fillon edhe faza e dytë e marrëveshjes. Hamasi është zotuar se nuk do të lirojë 60 pengjet e mbetura nëse Izraeli nuk i jep fund luftës, ndërkohë që Kryeministri Netanyahu thotë se ai ende mbetet i përqendruar në synimin e tij për të shkatërruar grupin militant dhe për t’i dhënë fund sundimit të tyre 18 vjeçar në Gazë.