Shtëpia e Bardhë njoftoi se Shtetet e Bashkuara po tërhiqnin një sërë masash të vendosura kundër Kolumbisë, duke thënë se të dyja vendet arritën një marrëveshje për fluturimet amerikane që do të dërgojnë emigrantët kolumbianë në shtëpi.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se të dyja vendet ranë dakord që Kolumbia të pranojë emigrantët e saj pa kufizime, përfshirë kthimin e tyre me avionët ushtarakë amerikanë.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro, refuzoi më parë dy avionë ushtarakë amerikanë dhe tha se ai do të pranonte emigrantë vetëm kur Shtetet e Bashkuara t'i trajtonin me dinjitet, duke përfshirë përdorimin e avionëve civilë për dëbimet.
Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se do të mbajë tarifa dhe sanksione të reja kundër Kolumbisë “të pezulluara dhe nuk do të nënshkruhen, përveç nëse Kolumbia nuk arrin ta respektojë këtë marrëveshje”.
Heqja e vizave kundër disa zyrtarëve kolumbianë, si dhe kontrollet e zgjeruara doganore do të mbeten në fuqi, derisa avioni i parë me emigrantë kolumbianë të zbarkojë në Kolumbi, tha Shtëpia e Bardhë.
Ministria e Jashtme e Kolumbisë tha të dielën vonë se kishte tejkaluar ngërçin me Shtetet e Bashkuara dhe se ministri i Jashtëm Luis Gilberto Murillo dhe ambasadori kolumbian në SHBA Dnaiel García-Peña, po udhëtonin për në Uashington për takime të nivelit të lartë lidhur me marrëveshjen.
Kolumbia tha se do t'i mirëpresë njerëzit e saj në shtëpi dhe do t'u garantojë atyre kushte të mira si qytetarë me të drejta të plota.
Deklaratat përmbysën një seri qëndrimesh përshkallëzuese nga udhëheqësit e të dyja vendeve. Presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi një tarifë të menjëhershme prej 25 për qind për mallrat kolumbiane, e cila do të rritet në 50 për qind brenda një jave dhe pezullimin e lëshimit të vizave në Ambasadën e SHBA-së në Bogota.
Presidenti Petro njoftoi një tarifë prej 25 për qind për mallrat amerikane në këmbim, duke thënë se Shtetet e Bashkuara "nuk do të na sundojnë kurrë".
“Emigranti nuk është kriminel dhe duhet trajtuar me dinjitetin që meriton një qenie njerëzore”, tha Presidenti Petro. “Kjo është arsyeja pse i ktheva avionët ushtarakë amerikanë që transportonin emigrantë kolumbianë. ...Me avionë civilë, pa u trajtuar si kriminelë, do të mirëpresim bashkëqytetarët tanë”.
Kolumbia është partneri i tretë më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine.
Mosmarrëveshja pasoi operacionet e autoriteteve amerikane që filluan arrestimin e qindra emigrantëve pa dokumente në ditë dhe dërgimin e tyre në vendet e origjinës, duke zbatuar premtimin e fushatës së Presidentit Trump për të dëbuar emigrantët që kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.