Lidhje

Presidenti bjellorus Lukashenko drejt mandatit të shtatë, Perëndimi i cilëson zgjedhjet farsë


MINSK – Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko pritet t’i fitojë zgjedhjet e së dielës për një mandat të shtatë, me 87.6 për qind të votave, thuhet në një anketim të publikuar nga televizioni shtetëror.

Zoti Lukashenko, një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin, e ka udhëhequr vendin që nga viti 1994. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë përpara votimeve se zgjedhjet nuk mund të ishin të lira dhe ndershme, pasi mediat e pavarura janë ndaluar në Bjellorusi dhe udhëheqësit kryesorë opozitarë janë burgosur ose detyruar të largohen nga vendi.

I pyetur në lidhje me burgosjen e kundërshtarëve të tij, zoti Lukashenko u tha gazetarëve se ata ishin autorët e fatit të tyre.

"Disa zgjodhën burgun, disa zgjodhën ‘mërgimin’, siç thoni ju. Ne nuk dëbuam askënd nga vendi", tha ai në një konferencë maratonë për shtypin që zgjati mbi katër orë e 20 minuta.

Ai tha se askush nuk u pengua të fliste në Bjellorusi, por se burgu ishte "për njerëzit që hapën gojën shumë, për ta thënë troç, ata që shkelin ligjin".

Alexander Lukashenko
Alexander Lukashenko

Anketimi u transmetua nga televizioni shtetëror menjëherë pas mbylljes së votimit. Zyrtarët thanë se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 81.5%, nga 6.9 milionë votues të regjistruar.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas tha në prag të votimit se ishte një "fyerje e hapur ndaj demokracisë".

Udhëheqësja e opozitës në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya i tha agjencisë së lajmeve Reuters këtë javë se zoti Lukashenko ishte duke projektuar rizgjedhjen e tij si pjesë e një "rituali për diktatorët". Demonstrata kundër tij u zhvilluan të dielën në Varshavë dhe qytete të tjera të Evropës Lindore.

Zoti Lukashenko i hodhi poshtë kritikat si të pakuptimta dhe tha se nuk i interesonte nëse Perëndimi vendosi t'i njohë apo jo zgjedhjet.

“NUK MË INTERESON FARE”

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se nuk e njohin atë si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë, pasi ai përdori forcat e sigurisë për të shtypur protestat masive pas zgjedhjeve të fundit në vitin 2020, kur qeveritë perëndimore mbështetën pretendimin e zonjës Tsikhanouskaya se ai kishte manipuluar numërimin e votave dhe i kishte marrë asaj fitoren.

Dhjetëra mijëra njerëz u arrestuan në protestat kundër rezultatit zyrtar, që i dha atij pak më shumë se 80% të votave. Organizata e të drejtave të njeriut Viasna, që është ndaluar si një organizatë "ekstremiste", thotë se ka ende rreth 1,250 të burgosur politikë.

Presidenti Lukashenko liroi mbi 250 prej tyre vitin e kaluar, për ato që ai i quajti arsye humanitare, por ai mohoi se kjo ishte konceptuar si një sinjal për Perëndimin në përpjekje për të riparuar marrëdhëniet.

"Mua nuk më intereson fare Perëndimi", tha ai, duke shtuar se Bjellorusia ishte e gatshme të bisedonte me BE-në, por jo "të përkulemi para jush ose të zvarritemi në gjunjë".

Ai tha se disidentja kryesore, Maria Kalesnikava ishte fajtore për "shkeljen e regjimit", por se ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe se ai kishte ndërhyrë personalisht për të lejuar një vizitë nga babai i saj vitin e kaluar. Ndër të burgosurit e tjerë të njohur është aktivisti i të drejtave të njeriut dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqen, Ales Bialiatski, i cili vuan një dënim 10-vjeçar, me akuza për kontrabandë, që ai i mohon.

fotografia e Maria Kalesnikavas gjatë një seance në Parlamentin Evropian
fotografia e Maria Kalesnikavas gjatë një seance në Parlamentin Evropian

"Në çdo shtet duhet të marrësh përgjegjësi nëse shkel ligjin. Ligji është i ashpër, por është ligji", tha Presidenti Lukashenko.

I pyetur nëse këto do të ishin zgjedhjet e tij të fundit, presidenti 70-vjeçar, dikur ish-drejtues ferme gjatë epokës sovjetike, nuk pranoi të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai tha se "nuk do të vdiste" dhe nuk kishte në mendje një pasardhës të caktuar.

"Kur të vijë koha, do ta mendojmë këtë", tha ai.

XS
SM
MD
LG