Në Shqipëri kryeministri Edi Rama, mbrojti sot idenë e hedhur prej tij, muaj më parë për t’i dhënë mbrojtje qendrës së Urdhërit botëror të Bektashinjve në Tiranë përmes një statusi të veçantë.
Duke folur gjatë një konference me rastin e 95 vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, zoti Rama u shpreh se “historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë së Kryegjyshatës Botërore, përmes një statusi të ngjashëm me atë të Vatikanit, fuqinë e një embleme e cila nuk do të përçajë askënd, e cila nuk do të kërcënojë askënd, e cila nuk do të vërë në diskutim sovranitetin territorial, integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”.
Edhe më parë, zoti Rama kishte përdorur si analogji për statusin e kryegjyshatës, atë të Shtetit të Vatikanit, i cili funksionon si një shtet sovran, me juridiksion ekskluziv mbi territorin e vet, me simbolet e tij, banka e sistem sigurie e që përfaqësohet dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si i tillë. Megjithatë sot, zoti Rama e reduktoi statusin e mundshëm të bektashinjve, në atë të “një shteti simbolik, pa mure, pa polici, pa ushtri, pa taksa apo atribute të tjera por një seli, një shtet shpirtëror”.
Propozimi i zotit Rama zgjoi në atë kohë shqetësim, veçanërisht mes komunitetit musliman, por sic u shpreh ai sot, asnjë prej komuniteteve fetare nuk ka arsye të shqetësohet sepse “ky është trajtimi i merituar i një komuniteti që e ka qendrën botërore në Shqipëri. Të tjerët do ta kishin shpikur edhe po të mos ta kishin, ne e kemi dhe jemi gati që ta lëmë të vdesë”, u shpreh zoti Rama, duke vënë në dukje se komunitetet e tjera fetare nuk gjenden përballë rrezikut të shuarjes, pasi “nuk ka nevojë komuniteti musliman të mendojë se nesër mund të jetë inekzistent. Natyrisht ka plot sfida. Nuk shuhet kurrë komuniteti katolik, as ai ortodoks ndërkohë që ky komunitet është në rrugën e shuarjes miqtë e mi, nuk është parashikim, kjo është diçka që po ndodh para syve tanë”
Kryeministri, vuri disa herë theksin në rolin e bektashinjve në historinë e Shqipërisë.
“Rruga e mundimshme e bektashinjve shqiptarë është një rrugë unikale, mistike, tolerance dhe uniteti. Ai ka ndikuar pazëvendësueshmërisht në mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, në mësimin e gjuhës shqipe dhe në themelet e rezistencës për pavarësi kombëtare të shqiptarëve, natyrisht jo në mënyrë ekskluzive por krah për krah me komunitetin mysliman dhe krah për krah edhe me përfaqësues legjendarë të komunitetit ortodoks apo të atij katolik”, tha zoti Rama duke shtuar se “bektashinjtë janë vetëm dhe nëse erdhën këtu 95 vjet më parë si jetimë të një perandorie që iu tregoi derë, bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët t’i tregojnë rrugën sepse do të ishte vrasja me duart tona, të të gjithëve ne të një vlere shpirtërore që siç është brenda nesh sot duhet t’i përcillet brezave jo vetëm në emër të një komuniteti fetar e përsëris, por ne emër të një historie shqiptare”.
Kryegjyshata botërore shtrihet në një sipërfaqe disa hektarëshe, në një zonë periferike të Tiranës. Që prej vitit 1929, selia botërore e betashinjve u zhvendos nga Turqia, në kryeqytetin shqiptar.
Nuk ka ndonjë shifër të saktë të numrit të besimtarëve bektashinj në botë, ndërkohë që në Shqipëri, sipas të dhënave të censusit të fundit, të realizuar vitin e kaluar, janë deklaruar si të tillë, pak më shumë se 115 mijë persona, ose më pak se 5 përqind e popullsisë rezidente.