Rreth 20 për qind e veprimtarive të partive politike gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, janë përshkuar me gjuhë të urrejtjes dhe diskriminuese, tha të shtunën Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”.
Koalicioni i cili ka vëzhguar 377 tubime në të gjitha komunat e vendit përgjatë dy javëve të para të fushatës zgjedhore, tha se ajo po përshkohet edhe me probleme të tjera si nënpërfaqësimi i grave dhe përdorimi i burimeve publike.
“Në raport me numrin e aktiviteteve më së shumti raste kemi hasur në aktivitetet e organizuara nga lëvizja Veëvendosje, apo në 25 për qind të aktiviteteve të organizuara nga kjo parti. Tutje tek Lidhja Demokratike me 20 për qind të aktiviteteve, Aleanca me 18 për qind dhe te Partia Demokratike me 11 për qind të aktiviteteve pra është përdorur gjuha nxitëse dhe e urrejtjes”, tha Violeta Haxhiu nga ky koalicion.
Rrezarta Delibashzade Krasniqi tha se në hapësirën online ku është vëzhguar përmbajtja e publikuar nga faqet zyrtare të subjekteve politike, java e dytë ka shënuar ngritje të numrit të komenteve me gjuhë nxitëse.
“Deri më tani gjatë dy javëve të para monitorimit të kësaj fushate kemi identifikuar 250 raste të tilla. Nga këto raste 22 për qind të tyre kanë pasur target kryesisht gratë që janë kandidate të këtyre subjekteve politike. Paralelisht monitorimit të rrjeteve sociale, gjithashtu bëjmë monitorimin e 152 portaleve apo mediave online në gjuhën shqipe dhe serbe ku deri më tani kemi identifikuar rreth 300 mijë komente të bëra nga palët e treta në këto platforma, gjashtë për qind e tyre përbëjnë gjuhë të urrejtjes drejtuar subjekteve politike”, tha ajo.
Zonja Haxhiu tha se shqetësuese mbetet edhe pjesëmarrja e ultë e grave në fushatë, duke theksuar se për dy javë vetëm 10 për qind e tyre u janë bashkuar veprimtarive politike.
“Ndërsa vetëm një e treta e fjalimeve në fushatë janë mbajtur nga gratë deri tani. Prezencë e ultë e grave është shënuar edhe në media, nga 606 kronika zgjedhore ku janë paraqitur kandidatët për deputet vetëm në 14 për qind të tyre janë paraqitur gratë. Edhe kohëzgjatja televizive nëpër kronika zgjedhore për gratë ka qenë dukshëm më ultë sesa për burrat, ku vetëm 28 minuta apo dhjetë për qind e hapësirës u është dhënë grave”, tha ajo.
Vezhguesit thanë se në 31 raste është regjistruar përdorimi i burimeve publike në funksion të fushatës.
Deri tani Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar 30 vendime ndaj partive të ndryshme politike me 155 mijë e 500 euro gjoba në tërësi, kryesisht për shkak të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe shfrytëzimi të burimeve publike për fushatë.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë garojnë njëzetetetë forca politike ndërkaq të drejtë vote kanë dy milionë votues.