Lidhje

Pete Hegseth bën betimin si Sekretar i Mbrojtjes


Sekretari Hegseth duke u betuar përpara Nënpresidentit JD Vance (25 janar 2025)
Sekretari Hegseth duke u betuar përpara Nënpresidentit JD Vance (25 janar 2025)

UASHINGTON - Pete Hegseth bëri të shtunën betimin si Sekretari i 29-të i Mbrojtjes, pas votimit të ngushtë në Senat 51 me 50.

Zoti Hegseth e bëri betimin përpara Nënpresidentit JD Vance në godinën ekzekutive Eisenhower, me në krah bashkëshorten e tij Jennifer Rauchet e rrethuar nga senatorë republikanë. Ceremonia u mbajt pas më pak se 12 orësh që Nënpresidenti Vance hodhi votën vendimtare në Senat për të thyer barazimin 50 me 50, në votimin për konfirmimin e zotit Hegseth.

Në fjalën e tij të shkurtër, zoti Hegseth paraqiti ato që tha se do të jenë parimet që do ta udhëheqin në punën e tij: “Rikthimin e frymës luftarake në gjithçka që bëjmë, rindërtimin e ushtrisë dhe rivendosjen e fuqisë parandaluese”.

“Ne nuk dëshirojmë luftëra, ne duam t’i parandalojmë ato... dhe duam t’u japim fund me përgjegjshmëri. Por nëse do na duhet të luftojmë, do ta bëjmë me forcë të jashtëzakonshme dhe të vendosur do ta shkatërrojmë armikun dhe do t’i rikthejmë djemtë tanë në atdhe”, tha ai.

Zoti Hegseth falënderoi Presidentin Trump për mbështetjen e tij dhe u zotua se si Sekretar i Mbrojtjes, do të përqendrohej në "vendosjen e Amerikës të parën" si dhe rindërtimin e ushtrisë amerikane.

Në një mesazh dërguar ushtarakëve amerikanë nëpërmjet postës elektronike, zoti Hegseth shkruante se “do të vazhdojmë të jemi forca më e fuqishme dhe më vdekjeprurëse në botë” duke përmendur në veçanti nevojën “për të parandaluar agresionin nga Kina komuniste në rajonin e Indo-Paqësorit... si dhe për t’u riorientuar drejt rreziqeve kryesore. Do t’u gjendemi krah aleatëve dhe armiqtë tanë e kanë marrë mesazhin”, tha ai.

Miratimi në Senat

Pete Hegseth u miratua pas një votimi 50-50 në Senat, falë votës së Nënpresidentit JD Vance, e cila hidhet për të thyer një barazim në votim. Tre senatorë republikanë votuan kundër kandidaturës së zotit Hegseth për postin e sekretarit të Mbrotjes.

Senati miraton Pete Hegseth për postin e Sekretarit të Mbrojtjes
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Pete Hegseth u miratua pas një votimi 50-50 në Senat, falë votës së Nënpresidentit JD Vance, e cila hidhet për të thyer një barazim në votim. Tre senatorë republikanë votuan kundër kandidaturës së zotit Hegseth për postin e sekretarit të Mbrotjes.

Kjo ishte hera e dytë në histori që një kandidat për anëtar kabineti, kishte nevojë për ndërhyrjen e nënpresidentit për t’u konfirmuar.

"Pete Hegseth është gati të zbatojë programin e Presidentit Donald Trump dhe unë besoj se ai do të jetë një agjent ndryshimi në Departamentin e Mbrojtjes dhe se ai është personi që na duhet”, tha senatori republikan Roger Wicker.

"Z. Hegseth e njeh dobësitë që ka Departamenti i Mbrojtjes. Ai është angazhuar gjithashtu të garantojë mbrojtjen e sinjalizuesve, atyre që do të tregojnë për rastet shpërdorimit dhe abuzimit, që kanë qenë të panumërta brenda departamenti", tha senatori republikan Chuck Grassley.

Tre senatorët republikanë që bashkuan votat me demokratët duke votuar kundër zotit Hegseth ishin senatorët Lisa Murkowski, Susan Collins dhe Mitch McConnell, i cili ishte udhëheqësi i republikanëve në Senat deri në fillim të këtij muaji.

Zoti McConnell tha se zoti Hegseth nuk kishte demonstruar se kishte aftësi për të menaxhuar në mënyrë efektive një organizatë kaq të madhe dhe komplekse sa ushtria. "Thjesht dëshira për të qenë një "agjent ndryshimi" nuk mjafton për ta marrë këtë rol", tha senatori McConnell në një deklaratë.

Zoti Hegseth, një ish-gazetar i kanalit televiziv Fox News dhe ish-ushtarak i vlerësuar me medalje, është zotuar të bëjë ndryshime të mëdha në Pentagon.

Demokratët në Senat ngritën një sërë pikëpyetjesh lidhur me kualifikimin, temperamentin dhe pikëpamjet e tij mbi rolin e grave ushtarake në fushëbetejë.

Ekzistojnë qindra të tjerë pa bagazhin personal të akuzave për abuzim seksual, për abuzim bashkëshortor, që nuk janë akuzuar se kanë ardhur të dehur në punë apo abuzim që janë objekt i një raporti shumë të gjerë të shkruar nga bashkëpunëtorë joanonimë", tha senatori demokrat Tim Kaine.

Zoti Hegseth është një kandidat që ka shkaktuar më shumë debat për të arritur detyrën më të lartë në krye të forcave të armatosura amerikane.

"Z. Hegseth nuk ka treguar gjykimin e duhur për të qenë sekretar i mbrojtjes. Zoti Hegseth nuk ka treguar karakterin për të qenë sekretar i mbrojtjes, sepse kjo punë është një përgjegjësi e madhe dhe ai nuk është personi i duhur për këtë detyrë”, tha senatori demokrat Adam Schiff.

Sekretari Hegseth do të drejtojë tashmë 1.3 milionë ushtarakë aktivë dhe rreth 1 milionë civilë, që punojnë për forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara, me një buxhet vjetor prej rreth 1 trilion dollarësh.

XS
SM
MD
LG