Një gjykatës federal vendosi të premten që themeluesit të organizatës “Oath Keepers”, Stewart Rhodes, t'i ndalohet të hyjë në Uashington pa lejen e gjykatës, pasi Presidenti Donald Trump ia uli dënimin me 18 vjet burg udhëheqësit të grupit, i cili mori pjesë në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Gjykatësi federal Amit Mehta, i cili mbikëqyri gjyqin ndaj zotit Rhodes dhe anëtarëve të tjerë të organizatës së tij, lëshoi urdhrin dy ditë pasi zoti Rhodes vizitoi Kapitolin, ku u takua me të paktën një ligjvënës, bisedoi me të tjerët dhe mbrojti veprimet e tij të 6 janarit 2021.
Urdhri i gjykatësit Mehta vlen për shtatë të pandehur të tjerë të cilët u përballën me akuzat më serioze për sulmin ndaj Kapitolit, të ngritura nga Departamenti i Drejtësisë. Urdhri gjithashtu ua ndalon atyre hyrjen në ndërtesën e Kapitolit apo në mjediset përreth pa lejen e gjykatës.
Stewart Rhodes nga qyteti i Granburit në Teksas, u lirua nga burgu disa orë pas nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv nga Presidenti Trump të hënën vonë për të falur mbi 1,500 persona të akuzuar për sulmin ndaj Kapitolit, që kishte për synim të pengonte certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Ndërsa zoti Trump fali shumicën e të pandehurve, ai uli dënimet me burg për zotin Rhodes dhe 13 persona të tjerë. Kjo do të thotë se ata mbeten në lirim me kusht dhe duhet të respektojnë disa kufizime të vendosura nga gjykata nën mbikëqyrjen e një oficeri të policisë.
Stewart Rhodes nuk hyri në Kapitol më 6 janar, por u akuzua për orkestrimin e një komploti javor për të ndalur me forcë transferimin e pushtetit. Ai u dënua për komplot për rebelim në vitin 2022 dhe mori një nga dënimet më të rënda në procesin masiv të Departamentit të Drejtësisë.
Zoti Rhodes tha gjatë vizitës së tij në Kapitol në fillim të kësaj jave se ai tani po i kërkon Presidentit Trump një falje të plotë.