Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme dënoi sot me 1 vit burg, kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili u gjet fajtor për akuzën e “Korrupionit aktiv në zgjedhje”. Gjykata vendosi po ashtu t’i heqë atij të drejtën për ushtrimin e detyrës për një periudhë 5 vjeçarë. Dënimi ndaj tij, do të hyjë në fuqi, vetëm nëse konfirmohet dhe nga Gjykata e Apelit, ku zoti Memolla paralajmëroi se do të bëj ankim, ndërsa tha se do të vijojë ndërkohë detyrën. Mbetet për t’u parë nëse dhe Qeveria do të presë Apelin, apo do të vendosë për shkarkimin e tij.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, akuzohet se në zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, i ka kërkuar një elektricisti të zonës së tij elektorale, Blerim Xhamanit, që të mos i ndërpresë energjinë një abonenti i cili ishte debitor, në mënyrë që të votonte në favor të tij në zgjedhje. Po ashtu sipas Prokurorisë së Posaçme, zoti Memolla ka biseduar me elektricistin dhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.
Përveç zotit Memolla, Gjykata dënoi me 1 vit burg Xhamanin, dhe me 8 muaj burg të konvertuar në 1 vit e 4 muaj shërbim prove një tjetër elektricist, Isuf Tosku. Xhamani akuzohet për “korrupion aktiv në zgjedhje” dhe ‘Falsifikim të dokumentave”. Ndërsa Tosku për “Flasifikim të dokumentave”. Të dy rezultojnë të kenë “falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor”, ka shpjeguar Prokuroria.
Po ashtu, nën akuzën “korrupsion në zgjedhje”, është dënuar me një vit burgim dhe një person i katërt, Ndriçim Tafxhafa, i cili sipas hetimeve “i kishte premtuar një shtetaseje shlyerjen e detyrimeve për energjinë elektrike dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor” të kandidatit socialist.