Lidhje

Zoti Trump u premton sipërmarrjeve botërore taksa më të ulëta për mallrat e prodhuara në SHBA, në të kundërt do ketë tarifa


Presidenti Donald Trump duke iu drejtuar virtualisht takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. 23 Janar, 2025
Presidenti Donald Trump duke iu drejtuar virtualisht takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. 23 Janar, 2025

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ftoi të enjten sipërmarrjet botërore që të prodhojnë produktet e tyre në SHBA dhe u premtoi atyre taksa më të ulëta, por paralajmëroi se nëse zgjedhin që të prodhojnë mallrat diku tjetër, do të duhet të paguajnë tarifa për t'i eksportuar ato në Shtetet e Bashkuara.

"Amerika është rikthyer dhe është e hapur për biznes", u tha Presidenti Trump, përmes një video-lidhjeje nga Uashingtoni, udhëheqësve të korporatave në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

“Mesazhi im për çdo biznes në botë është shumë i thjeshtë: Ejani dhe prodhoni mallin në Amerikë dhe ne do t'ju ofrojmë taksat më të ulëta në botë”, tha zoti Trump. “Por nëse nuk e prodhoni produktin tuaj në Amerikë, që është e drejta juaj, atëherë, shumë e thjeshtë, do të duhet të paguani një tarifë”.

Presidenti Trump, në ditën e tretë të mandatit të tij të dytë, tha se dëshiron të ulë normën e taksave për korporatat amerikane nga 21 në 15 për qind, megjithëse për këtë duhet miratim nga aleatët e tij politikë në Kongresin e kontrolluar nga republikanët.


Zoti Trump premtoi se Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë Evropën me gazin e lëngshëm natyror që i nevojitet, por shtoi se Bashkimi Evropian i trajton Shtetet e Bashkuara "në mënyrë shumë, shumë të padrejtë" me rregulloret që vendos ndaj bizneseve amerikane që operojnë në bllokun prej 27-vendesh.

Presidenti u ankua veçanërisht për tarifat dhe raportet mbi ndikimin mjedisor për projektet e reja në fushën e ndërtimit, duke i cilësuar ato si "gjëra që nuk duhet t’i bëni".

Ai tha se planifikon t'i kërkojë Arabisë Saudite dhe Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës që të ulin çmimin e naftës që prodhojnë me qëllim që të nxisin ekonominë botërore.
Ai argumentoi se nëse çmimi aktual global i naftës - rreth 77 dollarë për fuçi - ulet, "lufta në Ukrainë do të përfundojë menjëherë".

Rusia përdor të ardhurat nga prodhimi i naftës së saj për të financuar luftën trevjeçare kundër Ukrainës fqinje.


Zoti Trump tha se në ekonominë botërore, SHBA-të “duan thjesht të trajtohen në mënyrë të drejtë nga vendet e tjera”.

Ai pohoi se Shtetet e Bashkuara duan të kenë një "marrëdhënie të drejtë" me Kinën, ekonominë e dytë më të madhe në botë.

"Ne nuk duam të përfitojmë", tha ai për marrëdhëniet Uashington-Pekin. "Ne duam të kemi një konkurencë të drejtë”.

XS
SM
MD
LG