Lidhje

Presidenti Trump emëron kreun e ri të USAGM-së


USAGM
USAGM

Presidenti Donald Trump emëroi Brent Bozell III si kreun e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale, e cila përfshin pesë entitete ndërkombëtare të medias të financuara nga qeveria amerikane, përfshirë Zërin e Amerikës.

Zoti Bozell, aktivist dhe autor konservator, është themeluesi i Qendrës për Kërkimet e Medias, një organizatë që ka për mision t’i kundërpërgjigjet asaj që e identifikon si njëanshmëri liberale në median dhe kulturën e përditshme. Qendra e tij, “MRC”, po ashtu ka sfiduar kompanitë e teknologjisë për të cilat thotë se heshtin zërat konservatorë.

Data për seancën dëgjimore për konfirmimin e zotit Bozell në Senat ende nuk është caktuar. Kongresi aktualisht po mban seanca dëgjimore për të emëruarit e presidentit për krerë të agjencive federale.

Në platformën X, zoti Bozell tha se ai ndihej i nderuar me emërimin.

“Ka shumë punë për të bërë. Mirëpres takimin me senatorët para seancës së konfirmimit për të diskutuar për gjetjen e mënyrës më të mirë për t’u siguruar se përparësitë e Presidentit do të përmbushen”, shkroi ai.

Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Bozell do të drejtojë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Median Globale, (USAGM), një organizatë që në vitin 2024 operoi me një buxhet prej 950 milionë dollarësh dhe që mbikëqyr disa entitete të angazhuara në transmetimin e lajmeve dhe luftimin e censurës, me një audiencë të përgjithshme prej mbi 420 milionë njerëzish.

Përveç Zërit të Amerikës, USAGM mbikëqyr ‘Zyrën e Transmetimeve për Kubën’, si dhe entitetet jofitimprurëse ‘Radion Evropa e Lirë/Radio Liria’, ‘Radion Azia e Lirë’, ‘Rrjetin e Transmetimeve për Lindjen e Mesme’, ‘Fondin për Teknologji të Hapur’ dhe ‘Fondin për Median nga Vija e Frontit’.

Si kreu i USAGM, zoti Bozell do të bashkëpunojë për së afërmi me Bordin Këshillues për Transmetim Ndërkombëtar, një organizatë dypartiake, e përbërë nga shtatë anëtarë, që siguron pavarësinë editoriale të entiteteve në përmbushjen e misionit të tyre për të ofruar informacion të paanshëm. Një prej anëtarëve të bordit është Sekretari i Shtetit; Marco Rubio u betua në këtë detyrë të martën.

Kërkesat e drejtorit ekzekutiv të USAGM-it, për të emëruar, apo shkarkuar krerët e entiteteve që ai mbikqyr, duhet të miratohen nga bordi me shumicë votash. Presidenti Trump në fillim të dhjetorit njoftoi se dëshiron që gazetarja e shndërruar në politikane Kari Lake të jetë drejtorja e Zërit të Amerikës.

Zonja Lake punoi si gazetare televizive për gati 30 vite para se të hynte në politikë. Ajo kandidoi pa sukses për postin e guvernatores së Arizonës dhe e sfidoi në gjykatë humbjen e saj përmes aktpadive. Ajo kandidoi pa sukses edhe për postin e senatores.

Drejtori i Zërit të Amerikës dhe drejtuesit e entiteve të tjera, nuk përcaktohen nga presidenti, por nga shefi i USAGM-it, i cili përzgjedhjet e tij i dërgon tek bordi dypartiak për miratim.

Kongresi ka bërë ndryshime në përcaktimin e rolit të shefit të agjencisë dhe bordit këshillues në dhjetor të vitit 2020 pas gjetjeve që kryesuesi i parë i USAGM-së i emëruar nga presidenti, Michael Pack, ishte përfshirë në keqmenaxhim dhe keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që drejtonte agjencinë.

Nëse miratohet, zoti Bozell do të marrë drejtimin e agjencisë USAGM në një kohë kritike, kur propaganda shtetërore ruse dhe kineze po merr hov dhe siguria e gazetarëve të USAGM-së po kërcënohet në shtetet armiqësore.

Të paktën 11 gazetarë që punojnë në entitetet e USAGM aktualisht po mbahen në burg nga qeveritë në Mianmar, Bjellorusi, Azerbaixhan, Vietnam dhe Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Të tjerë kanë humbur jetën gjatë raportimit nga ambiente të rrezikshme, përfshirë në Haiti. Në dhjetor, një punonjës që po ndihmonte shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën kreole me çështje kontratash u vra në një sulm bandash.

Ish drejtorja e USAGM, Amanda Bennett u largua nga ky post para inaugurimit të Presidentit Trump. Si ish drejtore e Zërit të Amerikës dhe gazetare që kishte fituar çmimin Pulitzer, zonja Bennett ishte emëruar në këtë post nga Presidenti Joe Biden në vitin 2021.

Në njoftim për emërimin e zotit Bozell, Presidenti Trump vinte në dukje se zoti Bozell “dhe familja e tij kishin luftuar për parimet amerikane të Lirisë, Barazisë dhe Drejtësisë me gjenerata”.

Babai i zotit Bozell, L. Brent Bozell, themelues i një revistë konservatore katolike, ishte shkruesi i fjalimeve të Senatorit republikan Barry Goldwater dhe në vitin 1970 organizoi marshin e parë kundër abortit në Uashington. Njëri nga pesë fëmijët e zotit Bozell ishte në mesin e atyre që zoti Trump i fali këtë javë. Ai ishte dënuar me mbi tre vite burgim për rolin e tij në trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol.

XS
SM
MD
LG