Një hetim i përbashkët i Prokurorisë së Brescia-s në Itali dhe Prokurorisë së Posaçme shqiptare, çoi në goditjen e një grupi që merrej me trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në Itali dhe shtete të tjera të Europës qendrore. Operacioni për ekzekutimin e 12 urdhërave të arrestit dhe 8 masava të tjera të sigurisë u realizua gjatë të martës nga policitë e të dy vendeve. Në Shqipëri u arrestuan 5 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Një tjetër arrestim u realizua nga policia spanjolle
Në krye të grupit ishin dy vëllezër shqiptarë, të cilat konsiderohen pjesë e organizatës kriminale së drejtuar nga vëllezërit Çela, personazhe të njohur të botës së krimit, nga Elbasani. Ata mendohet se drejtonin të gjitha operacionet që nga importi i kokainës, te shpërndarja e saj dhe mbledhja e të ardhurave të cilat përfundonin më pas në Shqipëri.
Hetimet, mësohet të kenë nisur, në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u zbulua një rrjet i shpërndarjes së kokainës, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali. Ato u zhvilluan nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescia-s dhe SPAK-ut.
Sipas Prokurorisë së Posaçme “pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rindërtuar organigrama e organizatës italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Dy vëllezërit shqiptarë, jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia-s dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë”. Sipas Prokurorisë shqiptare “kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan”.
Anëtarët e organizatës kanë përdorur telefona të “kriptuar”. Ka qenë analiza e bisedave mes tyre që ka zbuluar përfshirjen e tyre në trafikun e qindra kilogramëve lëndë narkotike, kryesisht kokainë. “Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë”, bën të ditur Prokuroria e Posaçme.