Atmosfera ishte festive pranë burgut në Uashington mbrëmjen e së hënës. Pak orë pasi bëri betimin, Presidenti Donald Trump fali rreth 1500 individë të akuzuar për përfshirje në sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në ndërtesën e Kongresit amerikan. Shumë prej të ndaluarve mbahen në një burg në kryeqytetin amerikan.
Pavarësisht temperaturave tejet të ulta, mbështetësit e tyre u mblodhën pranë burgut. Ata i thanë Zërit të Amerikës se shpresonin që lirimi i tyre të bëhej sa më shpejt. Jashtë burgut shihej një prani e konsiderueshme e forcave të rendit dhe medias. Në një moment, mbështetësit e mbledhur nxituan drejt hyrjes së burgut por u bllokuan nga policia. Ata i thanë Zërit të Amerikës se tubimi i tyre kishte nota festive dhe patriotike.
Me flamurin amerikan në dorë, Ben Pollock nga Florida i tha Zërit të Amerikës se dy nga fëmijët e tij, Olivia dhe Jonathan, ishin burgosur për pjesëmarrje në trazirat e 6 janarit në Kapitol. Zoti Pollock tha se edhe ai kishte qenë i pranishëm atë ditë por nuk ishte futur në ndërtesën e Kongresit. Ai tha se i është lutur Zotit që fëmijët e tij të lirohen së shpejti.
Olivia dhe Jonathan Pollock akuzohen për sulm, rezistencë ose pengim të punonjësve të rendit, si dhe për vjedhje të pronës shtetërore, sipas njoftimeve në media. Ky i fundit akuzohet se goditi me grusht një polic dhe gjithashtu tërhoqi një polic tjetër nëpër shkallë.
Babait të tyre i rridhnin lotët ndërsa fliste për 6 janarin, jo se ishte penduar për atë ditë, por siç u shpreh ai, sepse të burgosurit për trazirat në Kapitol ishin ndjekur penalisht në mënyrë të padrejtë.
“Më është thyer zemra për katër vjet. Kam qarë vazhdimisht për këto familje. Sot është dita e lirisë së tyre”, tha zoti Pollock.
Zoti Pollock dhe të tjerë që folën për Zërin e Amerikës thanë se urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump do të thoshte se më në fund ata do të shfajësoheshin për 6 janarin.
Falja nga Presidenti Trump konfirmoi besimin e tyre se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar dhe ishte tregues i përmbushjes së premtimit që zoti Trump kishte bërë gjatë fushatës, thanë ata.
Raporte dhe hetime të shumta kanë treguar se zgjedhjet e vitit 2020 nuk ishin të manipuluara. Zyrtarët zgjedhorë kanë konfirmuar se votimet ishin të sigurta dhe se zoti Trump dhe aleatët e tij kanë dështuar të ofrojnë ndonjë provë për të vërtetuar akuzat për manipulime.
Disa njerëz pranë burgut i thanë Zërit të Amerikë se falja nga Presidenti Trump përforcon besimin e tyre për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2020.
“Zgjedhjet u vodhën. Është e qartë, e gjithë bota e pa këtë”, tha për Zërin e Amerikës Stephanie Liu nga Nju Jorku.
Zonja Liu, e cila ishte e pranishme në Kapitol më 6 janar, tha se për dy vjet e gjysmë ka vizituar çdo muaj të burgosurit për trazirat. “Në këtë vend nuk duhet të ketë të burgosur politik”, tha zonja Liu, e cila është me origjinë nga Kina.
Helena Gibson nga kryeqyteti amerikan, thotë se: “Kanë qenë katër vite të gjata për pengjet politike të 6 janarit”. Zoti Trump i ka quajtur ata “pengje” dhe “patriotë të mëdhenj”. Një ditë pas trazirave, zoti Trump tha se “ata që shkelën ligjin gjatë trazirave do të përgjigjeshin para drejtësisë”. Por mbrojtja e individëve të akuzuar për trazirat u bë një pjesë e rëndësishme e fushatës presidenciale të zotit Trump.
Tom Jeffries, nga Virxhinia, tha se ishte “disi i zhgënjyer” që Presidenti Trump nuk i përmendi të pandehurit e 6 janarit gjatë fjalimit të inaugurimit.
“Duke e njohur atë, e dija se ai nuk e kishte harruar këtë gjë dhe po priste momentin e duhur. Kjo ishte shpresa ime dhe Zoti ma plotësoi dëshirën”¸ tha ai për Zërin e Amerikës.
Vendimi i Presidentit Trump për faljen u prit me reagime të ashpra nga ligjvënësit demokrat si Senatori Chris Murphy.
Duke falur të dënuarit për trazira, “Trump ka transformuar demokracinë amerikane”, shkroi zoti Murphy në rrjetin X. “Dhuna politike tani është bërë diçka e zakonshme”.
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senatin amerikan, Chuck Schumer tha se nuk duhet të ishin falur ata që shkaktuan trazirat në Kapitol. “Trump po sjell një Epokë të Artë për individët që shkelin ligjin dhe përpiqen të rrëzojnë qeverinë”, tha Senatori Schumer përmes një deklarate.