Lidhje

Tiranë, Presidenti Begaj mesazh parlamentit, opozita e sulmon


Presidenti Bajram Begaj
Presidenti Bajram Begaj

Në Shqipëri, presidenti Bajram Begaj iu drejtua të hënën me një mesazh parlamentit të vendit, në nisje të sesionit të tij të ri dhe të fundit për këtë legjislaturë. Ai nënvizoi rëndësinë e dialogut politik dhe garantimin e një procesi të drejtë zgjedhor, për garën politike të 11 majit të këtij viti.

Opozita nga ana e saj, e cila prej kohësh nuk e fsheh mosbesimin ndaj Kreut të Shtetit, e sulmoi atë, duke e akuzuar atë për qëndrime të njëanshme në favor të Partisë Socialiste në pushtet.

Megjithatë dy partitë më të mëdha kanë gjetur dakortësinë për të ndërhyrë sërish në Kodin Zgjedhor, duke bërë disa ndryshime që do të mundësojnë disa ditë më shumë kohë për emigrantët që të mund të dërgojnë votën e tyre në Shqipëri.

“Me fillimin e një viti të ri dhe rinisjen e punimeve të Kuvendit, uroj të nisë një periudhë e re bashkëpunimi e dialogu në shërbim të shqiptarëve në vend, në Diasporë dhe në rajon”, shkruan që në hyrje të mesazhit të tij presidenti Begaj, duke nënvizuar se “në çdo hap që kemi hedhur, çelësi i suksesit ka qenë i qartë. Ai qëndron te dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirja”.

Ndërsa nënvizonte rëndësinë që vendi të konsolidojë rrugën e reformave, Kreu i Shtetit i kushtoi një vëmendje të veçantë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Të përpiqemi t’i japim vendit një proces zgjedhor të drejtë e të sigurt, ku të garojnë alternativat, ku votuesi të respektohet, ku vota të shërbejë për të zgjedhur, ku fituesi reflekton modesti e përgjegjësi, dhe humbësi vetëpërmbajtje. Ju ftoj që këtë proces ta kryejmë me maturi, paqe dhe respekt për vlerat demokratike”, shkruan në mesazhin e tij zoti Begaj duke shprehur besimin se “i kemi të gjitha mundësitë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me ligjin dhe sipas standardeve të OSBE-ODIHR-it. Ky nuk është opsion, është detyrimi që ka klasa politike ndaj shqiptarëve. Cilësia e zgjedhjeve duhet të tejkalojë çdo ndasi e të mbizotërojë mbi çdo interes partiak. Ky objektiv duhet të jetë i përbashkët dhe i panegociueshëm”.

Mesazhi i Presidentit u ishte shpërndarë deputetëve që në nisje të seancës. Por disa përfaqësues të Partisë Demokratike e grisën publikisht tekstin e shpërndarë të shtypur për secilin, ndërsa në fjalën e tij, kreu i grupit demokrat Gazmend Bardhi e sulmoi hapur atë kur deklaroi se nuk duhet “të na kishit harxhuar kohë me mesazhet e presidentit tuaj të Republikës, sepse nuk është presidenti i Republikës të Shqipërisë”.

Partia Demokratike, prej një kohe të gjatë ka shprehur pubikisht mosbesimin e saj ndaj presidentit Begaj. Përfaqësuesit e saj refuzuan të merrnin pjesë dhe në konsultimet që ai ndërmori për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Zoti Bardhi, tha se nëse presidenti do të ishte i interesuar për çështjen e zgjedhjeve ai do të duhet të kishte qenë personalisht në sallën e parlamentit për të përçuar mesazhin e tij, duke vënë në dukje nga ana tjetër dhe se “ka një letër prej rreth dy muajsh nga grupi më i madh parlamentar i opozitës që i jep fakte dhe prova se si trupi diplomatik është duke u keqpërdorur nga qeveria për fushatë zgjedhore, për organizimin e takimeve elektorale të PS-së dhe në ndihmë të aktiviteteve politike apo elektorale të kryetarit apo anëtarëve të tjerë të PS-së në diasporë, dhe as ka guxuar të thotë asnjë fjalë e as ka shprehur asnjë shqetësim”.

Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti do të votojnë dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. “Ndryshimi i legjislacionit zgjedhor dhe krijimi i mundësisë që pjesëtarët e Diasporës të votojnë për zgjedhjet për në Kuvend nga vendet pritëse është ndër arritjet më të shënuara të legjislaturës që po mbyllim”, tha në fjalën e saj përshëndetëse kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali.

Por për kreun e grupit demokrat Bardhi “po të ishte për vullnetin tuaj, as do kishte shans që diaspora të votonte. Ai vendim ishte reflektim apo detyrim i një vendimi të Gjykatës Kushtetuës, pra që ju detyroi ju që ta votoni dhe i thoshte Kuvendit se pa votën e diasporës zgjedhjet nuk mund të jenë të lira”, deklaroi ai duke ju kundërpërgjigjur zonjës Spiropali.

Por pavarësisht përplasjeve, shumica dhe opozita kanë rënë dakort që të bëjnë disa ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor, që të lehtësojnë votën e shqiptarëve jashtë vendit. Ndërhyrjet parashikojnë angazhimin e shtetit për të mbuluar kostot e dërgimit me postë të votës, si dhe afrimin me disa ditë (nga 5 deri në 10 ditë) të afateve që partitë kanë për t’u regjistruar në zgjedhje e për të dorëuar listën e kandidatëve.

Ndryshimi i këtyre afateve, do të mundësojë që fleta e votimit të printohet me herët në kohë, në mënyrë që dhe emigrantët të kenë më shumë ditë në dispozicion nga momenti që fleta e votimit do t’u shkojë në adresën e tyre. Marrëveshja mes palëve prek edhe numërin e votës së emirantëve e parashikuar të kryhej nga KQZ-ja, por që sipas ndryshimit do të vijojë të kryhet po nga përfaqësues të dy partive kryesore.

Po të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu drejtua me një kërkesë qeverisë që për shqiptarët jashtë vendit, të zgjatet afati i skadimit të kartave të identitetit deri në fund të muajit maj, duke qenë se mund të jetë një numër i madh i tyre pa një dokument identifikimi të vlefshëm.

XS
SM
MD
LG