Vendimi për të mbajtur inaugurimin brenda Kapitolit për shkak të temperaturave të ftohta nënkupton që shumica e të ftuarve që kanë bileta nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në ceremoni.
“Ata që kanë biletë për zonën ku presidenti bën betimin apo Platformën Presidenciale si dhe anëtarët e Kongresit do të marrin pjesë në ceremoninë brenda Kapitolit”, tha Komisioni i Përbashkët i Inaugurimit. Megjithatë, “shumica dërrmuese e të ftuarve të tjerë nuk do të mund të marrin pjesë në ceremoni”.
“Ne sugjerojmë që njerëzit që kanë ardhur në kryeqytet për inaugurimin të marrin pjesë në ngjarje të tjera në ambiente të brendshme, sipas zgjedhjes së tyre, për të parë inaugurimin”, tha komisioni.
Në ditën e inaugurimit, temperaturat në Uashington pritet të jenë nga -11 në -5 gradë Celsius me erërat e ftohta që do të krijojnë ndjesinë e një të ftohti edhe më të ashpër. Këto temperatura nënkuptojnë se inaugurimi i zotit Trump pritet të jetë më i ftohti në 40 vjet, sipas meteorologëve.
“Unë nuk dua që njerëzit të lëndohen në asnjë mënyrë”, shkroi zoti Trump në rrjetin social ‘Truth’.
Inaugurimi i dytë i Presidentit Ronald Reagan më 1985 ishte hera e fundit që një ceremoni betimi u mbajt në ambiente të mbyllura.
Shumica e 220,000 njerëzve që kanë biletë, të cilët ishin caktuar për të ndjekur ceremoninë nga ambientet e Kapitolit, nuk do të jenë në gjendje të shikojnë personalisht ndërsa zoti Trump bën betimin. Policia e Kapitolit tha në një deklaratë se një zonë e jashtme ku do të rrinin një pjesë e atyre me bileta do të mbahet e mbyllur ditën e inaugurimit.
Ligjvënësit kanë të drejtë të shpërndajnë bileta për ceremoninë e inaugurimit të një presidenti të ri banorëve të qarqeve votuese që i përfaqësojnë në Kongres.
Në një email drejtuar ligjvënësve, rreshteri i Dhomës së Përfaqësuesve u kërkoi t'u thonin atyre që iu kanë dhënë bileta se tani ato janë “një kujtim” nga ngjarja pasi shumica nuk do të mund të marrin pjesë personalisht në ceremoni.
250,000 persona të tjerë pa bileta pritej të ishin përjashta në zonat për publilkun pëprgjatë shëtitores pranë Kapitolit, sipas një leje të lëshuar për komisionin inaugurues të zotit Trump nga agjencia qeveritare ‘Shërbimi i Parkut Kombëtar’.
Zoti Trump tha se mbështetësit mund ta shikojnë ceremoninë në ekranet brenda ‘Capital One Arena’, një sallë për aktivitete sportive dhe koncerte në qendër të Uashingtonit. Ajo mban 20,000 njerëz.
Zhvendosja e inaugurimit në ambient të mbyllur gjithashtu do të thotë se nuk do të jetë e mundur të bëhen krahasime për madhësinë e turmës me ceremonitë e mëparshme të inaugurimit.
Pas inaugurimit të tij të parë më 2017, zoti Trump shprehu zhgënjimin me njoftimet e mediave që tregonin se turma ishte më e vogël se ajo që ishte e pranishme në ceremoninë e betimit të ish-presidentit Barack Obama më 2009.
Gjatë fundjavës, organizata të ndryshme të drejtave civile, për çështje racore dhe të drejtave riprodhuese organizuan një demonstratë të quajtur ‘Marshimi i Popullit’, në qendër të Uashingtonit.
Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në protestën kundër politikave të paralajmëruara të zotit Trump. Demonstrata u përqendrua tek një numër i madh temash si të drejtat e grave dhe të riprodhimit, të drejtat e komunitetit LGBTQ, çështja e emigracionit, mjedisit dhe demokracisë; dhe jo edhe aq tek vetë zoti Trump.
Turma marshoi paqësisht pranë Shtëpisë së Bardhë drejt Memorialit të Presidentit Lincoln dhe Qendrës Kombëtare nën masa të forta sigurie. Disa nga protestuesit mbanin kapele rozë në kujtim të protestës masive të vitit 2017, pas inaugurimit të parë të zotit Trump.
‘Marshimi i Popullit’ është një riemërtim i ‘Marshimit të Grave’, kur mbi 1 milion njerëz dolën në rrugët e Uashingtonit, një ditë pasi zoti Trump u betua për herë të parë më 2017, sipas njoftimeve të ndryshme të mediave.
Një tjetër protestë është planifikuar për ditën e inaugurimit, por është e paqartë nëse kjo do të ndikohet nga temperaturat e ulëta.
Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve ‘Reuters’ dhe ‘Associated Press’.