Donald Trump kthehet në presidencën amerikane të hënën me një ceremoni inaugurimi në Uashington, që do ta bëjë atë presidentin e parë i cili do të shërbejë në mandate jo të njëpasnjëshme që nga vitet 1890.
Miliona amerikanë pritet ta ndjekin në televizion ndërsa 78-vjeçari Donald Trump bën betimin për një mandat të ri katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Presidenti Joe Biden, 82 vjeç, largohet nga presidenca pas një mandati të vetëm.
Ceremonia e inaugurimit do të jetë një ngjarje në një rreth më të ngushtë për shkak të motit të ftohtë, me rreth 600 pjesëmarrës që do të jenë dëshmitarë të ndryshimit të pushtetit brenda Kapitolit, në vend të ngjarjes tipike në mjedis të hapur për të cilën 250,000 veta kishin siguruar biletat.
Parakalimi tradicional i inaugurimit përgjatë rrugës Pensilvania nga Kapitoli në Shtëpinë e Bardhë është anuluar gjithashtu për shkak të motit. Zoti Trump pas betimit do të shfaqet më pak se tre kilometra larg Kapitolit në një pallat sporti dhe koncertesh me kapacitet prej 20,000 personash.
Zoti Trump u zotua të dielën vonë të "veprojë me shpejtësi dhe forcë historike dhe të zgjidhë çdo krizë me të cilën përballet vendi ynë", ndërsa u foli mbështetësve të tij në Uashington.
“Nesër në mesditë, bie perdja mbi katër vitet e gjata të rënies amerikane dhe ne fillojmë një ditë krejt të re të fuqisë dhe begatisë amerikane”, tha zoti Trump.
Ai është zotuar të nënshkruajë një mori urdhrash ekzekutivë pas marrjes së detyrës, përfshirë ato që zhbëjnë politikat e administratës së Presidentit Biden. Ndër zotimet e tij të spikatura gjatë fushatës elektorale ishte ai për dënimet masive të atyre që ndodhen ilegalisht në vend.
Zoti Trump është zotuar gjithashtu se do të vendosë shpejt tarifa të larta ndaj partnerëve kryesorë tregtarë, përfshirë Kanadanë, Kinën dhe Meksikën.
Presidenti i zgjedhur thotë se ka në plan të falë shumë nga 1500 mbështetësit e tij që sulmuan ndërtesën e Kapitolit më 6 janar 2021, në përpjekje për të bllokuar Kongresin që të vërtetojë se zoti Biden fitoi zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump i ka quajtur të arrestuarit dhe të dënuarit “patriotë” dhe “pengje” të përndjekur gabimisht.
Akuzat se republikani Donald Trump u përpoq të përmbyste në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, u hoqën pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024, për shkak të një politike të Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të presidentëve në detyrë.
Zoti Trump u zotua për muaj të tërë t'i jap fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës përpara se të marrë detyrën, por ditët e fundit ndihmësit e tij kanë thënë se synimi tani është të përpiqet të arrijë një armëpushim në 100 ditët e para të administratës së tij.