Administrata në ardhje e Presidentit Donald Trump po planifikon një operacion të madh kundër emigracionit në Çikago, në ditën e dytë të tij të punës, sipas gazetës së përditshme The Wall Street Journal, e cila citoi katër persona në dijeni për planin.
Operacioni, i cili pritet të fillojë të martën, do të zgjasë gjatë gjithë javës, sipas gazetës, e cila shtoi se agjencia për zbatimin e ligjeve për emigracionin dhe doganat do të dërgojë 100 deri në 200 oficerë për këtë qëllim.
Ekipi i tranzicionit nuk iu përgjigj kërkesës për koment të agjencisë së lajmeve Reuters.
I emëruari i zotit Trump për çështjet e kufirit, Tom Homan, tha gjatë një aktiviteti në këtë qytet se administrata do t’ia “fillojë pikërisht këtu në Çikago, Illinoi”, sipas raportimit të gazetës.
“Dhe nëse kryebashkiaku i Çikagos nuk dëshiron të ndihmojë, mund të qëndrojë mënjanë. Por nëse na pengon, nëse me dijeninë e tij mbron apo fsheh një emigrant të jashtëligjshëm, do ta ndjek penalisht”, citohet të ketë thënë ai.
Çështja e emigracionit ishte në qendër të fushatës së zotit Trump për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
“Pak minuta pas inaugurimit tim, do të fillojmë operacionin më të madh të dëbimit në historinë amerikane”, deklaroi zoti Trump në janar të vitit 2024.
Presidenti Trump pritet të mobilizojë agjencitë në mbarë Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar për dëbimin e një numri rekord emigrantësh, duke vazhduar përpjekjet që i bëri gjatë mandatit të parë, për të vënë të gjitha burimet në dispozicion dhe për t’iu bërë trysni që të bashkëpunojnë të ashtuquajturit shtete miqësore ndaj emigrantëve.