Lidhje

Projekti “Shpresë” në mbështetje të personave të braktisur


Projekti “Shpresë” në mbështetje të personave të braktisur
Projekti “Shpresë” në mbështetje të personave të braktisur

Në Shqipëri, emigracioni dhe varfëria ekstreme e një numri të madh të familjeve, sidomos në zonat e thella malore, po shoqërohen me shtimin e rasteve të braktisjes së fëmijëve, kryesisht atyre me probleme të shëndetit mendor. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2019 deri në fund të vitit 2023, janë shpallur të braktisur me vendim gjykate 118 persona. Disa prej tyre strehohen në 7 “Shtëpitë Familja”, të ngirtura në Shkodër, si pjesë e projektit “Shpresë”, iniciuar disa vite më parë nga një punonjëse sociale italiane.

Projekti “Shpresë” në mbështetje të personave të braktisur
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Në një nga lagjet e vjetra të qytetit të Shkodrës gjendet njëra nga dy qendrat ditore të projektit “Shpresë”. Këtu ushtrohen për t’u aftësuar një numër personash të braktisur nga familjet e tyre, kryesisht me probleme të shëndetit mendor.

Dy qendrat ditore të aftësimit janë pjesë e 7 “Shtëpive Familja”, të ngritura në Shkodër nga projekti “Shpresë” që mbështetet nga donatorë të huaj dhe një pjesë nga Bashkia e Shkodrës. Drejtuesi i projektit, Luigj Mila, thotë se synimi i projektit “Shpresë” është përpjekja për aftësimin dhe integrimin e personave të braktisur.

“Pothuajse 90% e personave janë të braktisur, pa interesim familjar dhe të marrun nga institucione të ndryshme shtetërore, qoftë qendra e zhvillimit apo qendra të tjera. Dhe pjesën tjetër e kemi nga familjet që vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë nga Saranda, Tirana, Elbasani. Kanë problematika të mëdha, sidomos mungesa e familjes dhe kjo na ngarkon dyfish me përgjegjësi. Problemet janë të ndryshme, qoftë mendore, qoftë fizike. Problemet e shëndetit mendor janë të thella, janë me vonesa të thella mendore”, thotë ai.

Aktualisht, në 7 “Shtëpitë Familja” strehohen 63 persona të braktisur me aftësi të kufizuar fizike dhe mendore. Emigracioni, por edhe varfëria ekstreme e një pjese të familjeve që jetojnë në zonat e thella malore, vazhdojnë të shoqërohen me fenomenin e braktisjes, kryesisht të personave me probleme të theksuara të shëndetit fizik dhe atij mendor.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2019 deri në fund të vitit 2023, me vendim gjykate janë shpallur të braktisur 118 persona. Psikologia klinike pranë kësaj qendre, Suela Ndoja, thotë se trajtimi i tyre përballet me sfida të shumta.

“ Përballen me sfidat që jep vetë aftësia e kufizuar, lloji i aftësisë së kufizuar dhe faktin që nuk kanë interesin e familjarëve. Janë të braktisur. Këto sfida i hasim çdo ditë gjatë kohës që punojmë dhe u ofrojmë shërbim të specializuar në bazë të një plani ditor të kujdesit dhe zhvillimit për ta”, thotë ajo.

Terapia e aftësimit përmes artit është pjesë e punës së përditshme në të dy qendrat ditore të projektit “Shpresë”. Punimet e tyre ata i kanë ekspozuar jo vetëm në mjediset e brendshme të dy qendrave, por edhe nëpër panaire dhe ekspozita në qytet, thotë edukatori i kësaj qendre,Tomas Vataj.

“ Ndjehen të përfshirë dhe të kënaqur kur recitojnë, vizatojnë apo dëgjojnë muzikë apo bëjnë një kërcim të përbashkët. Janë disa veprime të përbashkëta që krijojnë këtë kompleks bashkëjetese”.

Projekti “Shpresë” është iniciuar 30 vite më parë nga punonjësja sociale, italiania Silvana Vigniali, e cila, pas daljes në pension në Itali, jetoi dhe kontribuoi derisa u nda nga jeta, mes personave të braktisur në qytetin e Shkodrës.

“ Sot kemi 7 “Shtëpi Familja”, që janë themeluar nga Silvana Vigniali, të cilat kanë lidhje organike me njëra-tjetrën. Fillojnë nga “Shtëpia fole” dhe përfundojnë tek “Shtëpia Diell”. Të gjitha këto kanë komunikim mes tyre sepse, në fund të fundit, “Shtëpia Fole” është ajo ku do të shkojnë ata që janë aftësuar deri aty sa të dalin të lirë në shoqëri dhe të krijojnë edhe familje”.

Psikologia Ndoja thotë se procesi i aftësimit të personave të braktisur dhe me aftësi të kufizuar është shumë i vështirë dhe i gjatë, megjithatë ka shpresë, pasi 13 prej tyre tashmë janë integruar në komunitet dhe punojnë në fabrikat e qytetit të Shkodrës.

XS
SM
MD
LG