UASHINGTON - Gjykata e Lartë mbështeti të premten unanimisht ligjin federal që ndalon rrjetin TikTok në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga e diela, nëse nuk shitet nga kompania e saj mëmë me seli në Kinë. Gjykata vlerëson se rreziku për sigurinë kombëtare që vjen nga lidhjet e rrjetit TikTok me Kinën, i kapërcen shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes për 170 milionë përdoruesit e këtij aplikacioni në Shtetet e Bashkuara.
Shitja e rrjetit TikTok nuk duket se mund të ndodhë së shpejti dhe megjithëse ekspertët kanë thënë se aplikacioni nuk do të zhduket nga telefonat e përdoruesve ekzistues pasi ligji të hyjë në fuqi më 19 janar, përdoruesit e rinj nuk do të mund ta shkarkojnë atë dhe përditësimet e aplikacionit do të bllokohen. Kjo përfundimisht do ta bëjë aplikacionin jofunksional, thuhet në materialet e paraqitura në gjykatë nga Departamenti i Drejtësisë.
Vendimi erdhi në sfondin e komenteve nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili u zotua se mund të negociojë për një zgjidhje dhe ndërsa administrata e Presidentit Joe Biden ka sinjalizuar se nuk do ta zbatojë ligjin duke filluar nga e diela, dita e tij e fundit e plotë në detyrë.
Presidenti i zgjedhur Trump, i vetëdijshëm për popullaritetin e rrjetit TikTok dhe për 14.7 milionë ndjekësit e tij në këtë aplikacion, e gjen veten në anën e kundërt të argumentit të paraqitur nga senatorë të njohur republikanë, të cilët fajësojnë kompaninë kineze, që ka në pronësi rrjetin TikTok që nuk ka gjetur një blerës më parë.
Është e paqartë se cilat opsione janë të hapura për zotin Trump, pasi ai të betohet si president të hënën. Ligji lejon një pauzë 90-ditore të kufizimeve ndaj aplikacionit, nëse do të kishte përparim drejt shitjes, përpara se të hynte në fuqi. Avokatja e shtetit Elizabeth Prelogar, e cila mbrojti ligjin në Gjykatën e Lartë në emër të administratës së Presidentit Biden, u tha gjykatësve javën e kaluar se është e pasigurt nëse perspektiva e një shitjeje pasi ligji të ketë hyrë në fuqi mund të mundësonte një afat 90-ditor për TikTok-un.
Gjatë dëgjimit të argumentave, një avokat i rrjetit TikTok dhe kompanisë mëmë kineze ByteDance Ltd., tha se do të ishte e vështirë të arrihej një marrëveshje shitjeje, në veçanti pasi ligji kinez kufizon shitjen e algoritmit që e ka bërë jashtëzakonisht të suksesshme këtë platformë të mediave sociale.
Aplikacioni u mundëson përdoruesve të shikojnë qindra video në gati gjysmë ore, sepse disa prej tyre zgjasin vetëm disa sekonda, thuhet në një padi të ngritur vitin e kaluar nga shteti Kentucky, ku akuzohet se TikTok-u është konceptuar për të krijuar ndërvarësi dhe për të dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve. Padi të ngjashme u ngritën nga mbi dymbëdhjetë shtete të tjera amerikane. Rrjeti TikTok i ka quajtur pretendimet të pasakta.
Mosmarrëveshja mbi lidhjet e TikTok-ut me Kinën mishëron konkurrencën gjeopolitike ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë të shqetësuara se qeveria kineze mund të mbledhë një sasie të madhe të të dhënave të përdoruesve nga TikTok-u, përfshirë informacione të rëndësishme, që mund të merren nga qeveria kineze. Zyrtarët kanë paralajmëruar gjithashtu se algoritmi që përcakton përmbajtjen që përdoruesit shohin në aplikacion, është i ekspozuar ndaj manipulimit nga autoritetet kineze, të cilët mund ta përdorin atë për t’i dhënë trajtë përmbajtjes në platformë, në një mënyrë që është e vështirë për t'u zbuluar.
TikTok-u thekson se Shtetet e Bashkuara nuk kanë paraqitur prova që Kina të jetë përpjekur të manipulojë përmbajtjen në platformën e saj amerikane, ose që të mbledhë të dhëna të përdoruesve amerikanë nëpërmjet TikTok-ut.
Legjislacioni u miratua me një shumicë dypartiake në Kongres dhe Presidenti Joe Biden e nënshkroi atë në muajin prill. Ligji ishte pika kulmore e një sage shumëvjeçare në Uashington rreth TikTok-ut, që qeveria amerikane e sheh si një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare.