Krishtlindjet ortodokse në Kosovë po shënohen mes ankesave të përfaqësuesve serbë për gjendjen e këtij komuniteti dhe thirrjeve të udhëheqësve në Prishtinë për solidaritet dhe ruajtje të vlerave që bashkojnë shoqërinë e vendit.
Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije, në mesazhin e tij foli për siç tha gjendjen e vështirë me të cilën po përballen serbët në Kosovë.
“I ekspozuar ndaj trysnive, arrestimeve, sekuestrimit të dhunshëm të ndërtesave komunale, mbylljes së shërbimeve shëndetësore lokale, marrjes së tokave dhe pronave të tjera private, rrënimit të varrezave dhe monumenteve të kulturës, ai vazhdimisht është i frikësuar dhe i përndjekur. Ne, vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë, i shikojmë me dashuri, respekt dhe mirënjohje”, tha ai.
Në Graçanicë afër Prishtinës u shërbye liturgjia kryesore pas së cilës kryetarja e kësaj komune Liljana Shubariç, tha se krishtlindjet përçojnë mesazhe për paqen dhe ruajtjen e identitetit serb në Kosovë.
“Është mirë që jemi mbledhur sepse kështu të bashkuar dërgojmë mesazh të bashkimit dhe kjo është diçka që neve na mbanë këtu dhe na jep forcën të qëndrojmë në këto hapësira”, tha ajo.
Beogradi zyrtar akuzon qeverinë e Kosovës për përndjekje të serbëve duke ua vështirësuar jetesën përmes mbylljes së institucioneve të mbështetura nga Serbia.
Autoritetet në Prishtinë akuzojnë Beogradin se po e pengon integrimin e qytetarëve serbë, ndërsa mbylljen e institucioneve serbe e cilëson si shtrirje të sovranitetit të shtetit në gjithë territorin e tij.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetën të larta, me gjithë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Bashkimi Evropian aktualisht është vënë në përpjekje për të gjetur ndërmjetësuesin e ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi në fund të këtij muaji skadon mandati i të dërguarit evropian për këtë çështje Miroslav Lajçak.
Gjatë mandatit të tij Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje normalizimi gati dy vjet më parë, por zbatimi ende nuk ka filluar.
Udhëheqësit politikë të Kosovës, i përgëzuan besimtarët ortodoks me rastin e krishtlindjeve të cilat sipas Presidentes Vjosa Osmani, kujtojnë dashurinë, solidaritetin dhe shpresën, si vlera që e bashkojne dhe forcojnë shoqërinë e vendit.