Lidhje

Krimet e dyshuara të luftës të ushtrisë ruse në Ukrainë


Deri në nëntor të 2024, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës dokumentoi më shumë se 150,000 krime të dyshuara lufte të kryera nga forcat ruse në Ukrainë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Kateryna Besedina, njofton se këto shifra vazhdojnë të rriten ndërsa ekspertët theksojnë shkeljet sistematike të ligjit ndërkombëtar nga forcat e Kremlinit, përfshirë sulmet ndaj popullsisë civile, infrastrukturës kritike dhe rastet e torturës dhe dhunës seksuale.

Krimet e dyshuara të luftës të ushtrisë ruse në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00


Pamjet e filmuara me dron në rajonin Donetsk duket se tregojnë ushtarët rusë tek vrasin ushtarët e paarmatosur ukrainas. Një nga këta ushtarë u kap më vonë nga forcat ukrainase dhe thuhet se i pranoi vrasjet.

“Nuk kemi kohë për të harxhuar me të burgosurit, nuk marrim të burgosur. Urdhri është për t’i vrarë dhe kështu vepruam me të tre”, thotë ushtari rus, Vyacheslav Delyagin.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës thotë se deri në tetor, ushtarët rusë kanë ekzekutuar 93 luftëtarë ukrainas në fushën e betejës. Nuk është e pazakontë që ushtarët rusë t’i filmojnë ekzekutimet dhe t’i shpërndajnë në internet.

Zëri Amerikës bisedoi me zonjën Tsvetelina van Benthem e cila punon në Institutin e Oksfordit për Etikën, Ligjin dhe Konfliktet e Armatosura.

“Po shohim një gamë të gjerë shkeljesh të së drejtës ndërkombëtare. Disa nga këto shkelje kanë të bëjnë me sulmet kundër popullsisë civile dhe objekteve civile, sulmet kundër infrastrukturës mjekësore, infrastrukturës energjetike. Po shohim shkelje të integritetit personal kur bëhet fjalë për torturën dhe dhunën seksuale…”

Përfaqësuesit e Qendrës për Liritë Civile në Ukrainë janë angazhuar gjithashtu në mbledhjen e provave të krimeve të luftës. Në bashkëpunim me organizata të tjera ukrainase ata krijuan një nismë të quajtur "Tribunali për Putinin".

Deri tani, ata dokumentuan rreth 82,000 krime të dyshuara lufte të kryera nga forcat ruse. Bazuar tek këto të dhëna, ata kanë depozituar gjashtë çështje në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, shkurtimisht ICC.

Oleksandra Romantsova është me Qendrën për Liritë Civile në Ukrainë.

“Nuk kemi të bëjmë me një veprim të izoluar të një ushtari të çmendur rus. Kjo politikë mbështetet nga treguesit për urdhra përpara ekzekutimeve në pjesë të ndryshme të vijës së frontit. Kjo tregon se urdhrat vijnë nga një nivel i lartë, më i lartë se një oficer i ndonjë njësie”.

Organizata Human Rights Watch beson se 10 komandantë ushtarakë rusë ishin përgjegjës për krimet në qytetin Mariupol të Ukrainës në vitin 2022. Në krye të kësaj liste është Presidenti rus Vladimir Putin. Në vitin 2023, Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ICC, lëshoi urdhër arresti për Presidentin Putin.

Gerry Simpson është me organizatën Human Rights Watch.

“Raporti ynë bëri thirrje që Presidenti Putin dhe oficerë të tjerë të lartë të hetoheshin për krime lufte të kryera në atë kohë. Përveç kësaj, shtetet e tjera mund të përdorin atë që quhet parimi i juridiksionit universal për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata zyrtarë që shkelin në tokën e tyre.”

Zoti Simpson është autor i raportit “Our City Was Gone”: Russia's Devastation of Mariupol, Ukraine”. Mbi 200 faqe të raportit u kushtohen krimeve të luftës që dyshohet se janë kryer nga ushtria ruse gjatë pushtimit të Mariupolit.

“Dokumentuam 14 raste në detaje, mes të tjerash, sulme që shkatërruan ndërtesa banimi, përfshirë pjesë të spitaleve dhe teatrit ikonë të qytetit; civilë të vrarë në mënyrë të paligjshme, sepse duket se (rusët) nuk kanë patur objektiv ushtarak...”

Organizata Human Rights Watch, së bashku me organizata të tjera të të drejtave të njeriut në mbarë botën, thonë se do të vazhdojnë të punojnë për të vënë në vend drejtësinë për Ukrainën.

XS
SM
MD
LG