Lidhje

Planet e Presidentit të zgjedhur Trump mbi energjinë mund të ndikohen nga tarifat


Përmes një qasjeje të ndryshme ndaj energjisë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka premtuar të ul koston e jetesës për amerikanët. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, planet e zotit Trump mund të ndërlikohen nga ndërvarësia komplekse globale në fushën e energjisë.

Planet e Presidentit të zgjedhur Trump mbi energjinë mund të ndikohen nga tarifat
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Gjatë fushatës, në muajin gusht, pDonald Trump bëri një premtim të madh për uljen e kostos së jetesës.

“Do të bëjmë përpjekje të gjithanshme për të vënë nën kontroll koston e jetesës, duke i dhënë fund luftës së Biden-it dhe Harris-it, kundër sektorit amerikan të energjisë. Ne do të bëjmë shpime të reja për të nxjerrje naftë dhe gaz", tha zoti Trump.

Kjo çështje do të jetë përparësi e Presidentit të zgjedhur Trump pasi ai të marrë zyrtarisht detyrën më 20 janar.

Ai synon të rrisë furnizimet me naftë duke përshpejtuar lëshimin e lejeve për nxjerrje të naftës, duke përfshirë zgjerimin e kërkimeve për naftë përgjatë vijës bregdetare të Shteteve të Bashkuara.

Disa analistë thonë se ky veprim mund të shkaktojë reagime nga kompanitë e naftës.

“Ne nuk mund të detyrojmë vendet dhe kompanitë të bëjnë shpime të reja për të nxjerrë më shumë naftë. Investitorët shpesh janë të shqetësuar nga niveli i lartë i prodhimit të naftës, sepse mbiprodhimi shkakton ulje të çmimeve", thotë James Coleman nga Universiteti i Minesotës.

Zoti Trump ka propozuar gjithashtu zgjerimin e eksporteve të gazit natyror të lëngshëm.

Ministri i Energjisë i Katarit, Saad Sherida al-Kaabi, tha në fillim të këtij muaji se nuk ka asnjë shqetësim në lidhje me premtimin e zotit Trump për të hequr kufizimet ndaj eksportit të gazit të natyror të lëngshëm.

“Konkurrenca nga rritja e prodhimit të gazit natyror të lëngshëm është e mirëpritur. Edhe nëse rritet prodhimi i gazit natyror të lëngshëm dhe Shtetet e Bashkuara eksportojnë 300 apo 500 milionë tonë gaz natyror të lëngshëm, të gjitha këto projekte do të drejtohen nga ndërmarrje private, të cilat do të bëjnë analizat e veta mbi qëndrueshmërinë komerciale të këtyre projekteve”, thotë Saad Sherida al-Kaabi, Ministër i Energjisë së Katarit.

I emëruari i zotit Trump për postin e Sekretarit të Departamentit të Energjisë, Chris Wright, shef ekzekutiv i një kompanie nafte, u përplas me ligjvënësin demokrat Sean Casten në fillim të këtij viti, lidhur me deklaratat e tij mbi ndryshimin e klimës.

“Ju keni thënë se 'nuk ka krizë klimatike. Ne nuk jemi në mes të një tranzicioni energjetik. Njerëzit dhe jeta komplekse janë thjesht të pamundura pa dioksid karboni. Ideja e ndotjes me karbon është skandaloze. A je dakord me gjithë këto gjëra që ke thënë?”, pyeti ligjvënësi Casten.

"Absolutisht. Cila prej tyre është e gabuar?", u përgjigj zoti Wright.

Shumë nga planet energjetike të zotit Trump nuk mund të realizohen pa bashkëpunimin me Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhuesit e tjerë të naftës.

“Ne eksportojmë shumë produkte energjetike në Kanada dhe në Meksikë, kështu që tarifat reciproke me këto vende mund të kenë një ndikim negativ tek prodhuesit tanë. Mendoj se pjesa më e madhe e industrisë së energjisë shpreson që kërcënimet për tarifa nuk do të realizohen", thotë eksperti amerikan James Coleman.

Në një kontrast të fortë me administratën Biden, e cila i dha përparësi energjisë së rinovueshme dhe luftës kundër ndryshimeve klimatike, zoti Trump pritet t’i jap fund subvencioneve për blerësit e makinave elektrike.

XS
SM
MD
LG