Banorët e Beit Hanounit, në veri të Gazës thanë se ishin urdhëruar nga forcat izraelite të dielën që të largoheshin nga qyteti.
Udhëzimi nxiti një valë të re shpërnguljesh, por mbetet e paqartë se sa palestinezë ishin prekur nga një gjë e tillë.
Izraeli thotë se fushata e tij gati tre-mujore në veri të Gazës ka si objektiv militantët e Hamasit duke synuar t’i pengojë ata që të rigrupohen.
Ushtria thotë se urdhërat për evakuim jepen me qëllimin për t’i mbajtur civilët larg zonave të rrezikut.
Por zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe ata palestinezë thonë se në Gazë nuk ka asnjë vend të sigurt dhe se evakuimet po përkeqësojnë kushtet humanitare të popullatës.
Pjesa më e madhe e zonës rreth qyteteve në veri të rajonit si Beit Hanoun, Jabalia dhe Beit Lahiya, janë rafshuar dhe njerëzit janë larguar, çka i ka dhënë zë spekulimeve se Izraeli po synon ta mbajë zonën si një zonë të mbyllur neutrale, pas përfundimit të luftës në Gazë.
Të premten, forcat izraelite hynë në spitalin Kamal Adwan në veri të Gazës. Ushtria tha se spitali po përdorej nga militantët, por Hamasi e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.
Si pasojë e fushatës izraelite kundër Hamasit në Gazë janë vrarë më shumë se 45 mijë palestinezë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në rajonin që kontrollohet nga grupi militant.
Lufta u shkaktua nga sulmi i Hamasit në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilit u vranë 1200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.