Lidhje

Gjeorgji, Kavelashvili betohet si president. Ndërlikohet rruga e vendit drejt BE 


Mikheil Kavelashvili, një kritik i ashpër i Perëndimit, u betua sot si president i Gjeorgjisë mes një krize politike në vend
Mikheil Kavelashvili, një kritik i ashpër i Perëndimit, u betua sot si president i Gjeorgjisë mes një krize politike në vend

Mikheil Kavelashvili, një kritik i ashpër i Perëndimit, u betua sot si president i Gjeorgjisë mes një krize politike në vend. Jashtë parlamentit protestuesit opozitarë u përplasën me policinë, e cila arrestoi disa prej tyre. Paraardhësja e tij, zonja Salome Zourabichvili, një kundërshtare e partisë në pushtet, tha se zgjedhja e Mikheil Kavelashvilit është e paligjshme, pasi është frut i manipulimit të zgjedhjeve të muajit tetor.

Gjeorgji, Kavelashvili betohet si president. Ndërlikohet rruga e vendit drejt BE 
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Ish-futbollisti Mikheil Kavelashvili u betua sot zyrtarisht si president i Gjeorgjisë, duke çimentuar kontrollin e partisë në pushtet. Ky zhvillim shihet nga opozita si një goditje ndaj aspiratave të vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Paraardhësja e tij, zonja Salome Zourabichvili, një kundërshtare e partisë në pushtet, tha në një fjalim sfidues para mbështetësve jashtë pallatit presidencial se Kavelashvili nuk është zgjedhur në mënyrë të ligjshme, si president.

“Po të dal nga presidenca e do të jem me ju... kjo zgjedhje nuk është e përligjur. Po dal duke marrë flamurin dhe besimin tuaj me vete”, tha ajo.

Zonja Zourabichvili thotë se zgjedhja e Mikheil Kavelashvilit ishte produkt i zgjedhjeve të manipuluara parlamentare që u mbajtën në tetor.

Partitë opozitare të Gjeorgjisë e mbështesin zonjën Zourabichvili. Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe Komisioni i Zgjedhjeve thonë se votimet e tetorit ishin të lira dhe të ndershme. Po kështu sipas partisë në pushtet zgjedhja e Kavelashvilit është bërë në mënyrën e duhur.

Në fjalimin e tij të dielën, Kavelashvili premtoi të jetë “president i të gjithëve, pavarësisht nëse e pëlqejnë apo jo”.

Por protestuesit jashtë parlamentit që mbanin në duar kartonë të kuq duke iu referuar karrierës si ish-futbollist të Kavelashvilit, kërkuan largimin e tij.

“Për shkak se presidenti ynë sot është një ish-futbollist, ne po i tregojmë kartonin e kuq dhe hapi tjetër do të jetë largimi i tij. Gjeorgjia do ta bëjë patjetër këtë, sepse ishte një shfaqeje e shëmtuar ajo që ndodhi sot në parlament”, thotë Sophie Shamanidi, protestuese.

“Qeveria jonë e paligjshme po përpiqet të emërojë një person të paligjshëm që nuk ka asnjë përvojë në politikë, diplomaci, apo ekonomi. Ai nuk di të drejtojë një vend, përveçse të shënojë gola. Ai ishte një futbollist që nuk ka asnjë lloj formimi apo arsimimi. Ne kishim një presidente të shkëlqyer, me një shkollim të shkëlqyer”, thotë një tjetër protestuese.

“Është dita e 32-të e protestës dhe ne po protestojmë jo vetëm kundër zgjedhjeve të manipuluara, por dhe për të ardhmen tonë evropiane. Ne po protestojmë kundër qëndrimit pro-rus të qeverisë", thotë një tjetër protestuese

Mediat lokale njoftuan se disa protestues u ndaluan, e më pas u lanë të lirë.

Gjeorgjia është përfshirë nga protestat të nxitura nga vendimi i partisë “Ëndrra Gjeorgjiane” për të pezulluar bisedimet për anëtarësim në BE deri në vitin 2028.

Ky veprim shkaktoi zemërim të gjerë në mesin e gjeorgjianëve, të cilët sipas anketave janë pro-BE. Policia ka bërë përpjekje për t’i shtypur protestat, duke arrestuar me qindra vetë, mes tyre udhëheqës të lartë të opozitës.

XS
SM
MD
LG