Lidhje

Kore e Jugut, 179 të vdekur pas rrëzimit të një avioni


Një avion udhëtarësh shpërtheu në flakë të dielën pasi doli nga pista në një aeroport të Koresë së Jugut dhe u përplas në një mur betoni. Shumica e 181 personave në bord vdiqën në një nga fatkeqësitë më të rënda të aviacionit të vendit.

Avioni i kompanisë Jeju Air u rrëzua gjatë uljes në qytetin Muan, rreth 290 kilometra në jug të Seulit. Ministria e Transportit tha se bëhet fjalë për një avion 15-vjeçar Boeing 737-800 që po kthehej nga Bangkoku dhe se përplasja ndodhi në orën 9:03 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Autoritetet thanë se 179 veta humbën jetën. Punonjësit e urgjencës tërhoqën në vend të sigurt dy persona, të dy anëtarë të ekuipazhit. Zyrtarët shëndetësorë thanë se ata janë të vetëdijshëm dhe nuk janë në rrezik për jetën.

Dy persona llogariteshin të zhdukur rreth nëntë orë pas incidentit. Mes 179 trupave të gjetur, zyrtarët deri më tani kanë identifikuar 57 prej tyre, tha agjencia e zjarrfikësve. Udhëtarët ishin kryesisht nga Koreja e Jugut, si dhe dy shtetas tajlandez.

Agjencia zjarrfikëse dërgoi në vendin e ngjarjes 32 kamionë dhe disa helikopterë për të vënë flakët nën kontroll. Rreth 1,570 zjarrfikës, policë, ushtarë dhe zyrtarë të tjerë u dërguan gjithashtu në vend, sipas agjencisë zjarrfikëse dhe ministrisë së Transportit.

Pamjet e përplasjes të transmetuara nga kanalet televizive të Koresë së Jugut shfaqën avionin e kompanisë Jeju Air duke rrëshqitur nëpër pistën e aeroportit shpejtësi të madhe, me sa duket me mjetet e uljes ende të mbyllura, duke kapërcyer pistën dhe duke u përplasur me një mur betoni dhe duke shpërthyer. Stacione të tjera televizive lokale transmetuan pamje me shtëllunga të dendura tymi të zi që dilnin nga avioni, i cili u përfshi nga flakët.

Lee Jeong-hyeon, shefi i stacionit të zjarrfikësve në Muan, tha në një konferencë shtypi se avioni u shkatërrua plotësisht dhe vetëm pjesa e bishtit mbeti e dallueshme midis rrënojave. Ai tha pos shqyrtohen mundësi të ndryshme rreth asaj që e shkaktoi rrëzimin, duke përfshirë mundësinë që avioni ishte përplasur me zogj.

Zyrtarët e ministrisë së Transportit thanë më vonë se vlerësimi i tyre i hershëm i të dhënave të komunikimit tregon se kulla e kontrollit të aeroportit lëshoi një paralajmërim për mundësinë e përplasjes me zogj goditjen pak para se avioni të synonte të ulej dhe t'i jepte pilotit lejen për t'u ulur në një zonë tjetër. Piloti dërgoi një sinjal shqetësimi pak para se avioni të dilte nga pista, thanë zyrtarët.

Zyrtari i lartë i Ministrisë së Transportit Joo Jong-wan tha se punëtorët kanë marrë të dhënat e fluturimit dhe “kutinë e zezë” të avionit, të cilat do të hetohen nga ekspertët e qeverisë për të mësuar shkakun e përplasjes dhe zjarrit. Ai tha se mund të duhen muaj që hetuesit të përfundojnë punën e tyre. Pista në aeroportin Muan do të jetë e mbyllur deri më 1 janar, tha ministria.

XS
SM
MD
LG