Lidhje

Kosovë, aktakuzë ndaj pesë personave për krime lufte


Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti të premten aktakuzë ndaj pesë personave për krime lufte kundër popullatës civile, në rajonin e Gjilanit, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se të pandehurit me inicialet D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J, gjatë luftës në Kosovë si pjesë e grupit kriminal dhe të armatosur, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë.

“Dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjësh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli, kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Posaçme tha se këto krime janë të dënueshme sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventës së Gjenevës.

Pesë të akuzuarit ishin arrestuar në fillim të muajit gusht të këtij viti dhe Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë i kishte identifikuar katër nga të arrestuarit, Dragan Cvetkoviç, Dragan Niçiç, Millosh Shoshiç dhe Slobodan Jevtiç nga fshati Pasjan në lindje të Kosovës.

Të mërkurën, një gjykatë në Prishtinë dënoi me 15 vjet heqje lirie në mungesë një pjesëtar të komunitetit serb për krime lufte kundër popullsisë civile në fshatrat përreth komunës së Shtimes, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.

Ky ishte dënimi i parë për krime lufte në mungesë që shpallet nga një gjykatë në Kosovë.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, që u dha fund mizorive të forcave serbe.

XS
SM
MD
LG