Lidhje

Putin: Sllovakia mund të organizojë bisedimet e paqes me Ukrainën


Kryeministri sllovak Robert Fico gjatë takimit me Presidentin rus Vladimir Putin më 22 dhjetor 2024
Kryeministri sllovak Robert Fico gjatë takimit me Presidentin rus Vladimir Putin më 22 dhjetor 2024

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Rusia është e hapur ndaj një propozimi sllovak për të organizuar bisedimet e paqes me Ukrainën për t'i dhënë fund një konflikti që ai tha se Rusia ishte e vendosur ta çonte deri në fund.

Presidenti Putin, i cili këtë javë priti Kryeministrin sllovak në Kremlin, tha se Robert Fico, një kundërshtar i hapur i mbështetjes së Bashkimit Evropian për Ukrainën, i ka sugjeruar Moskës mundësinë që të organizojë bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në vendin e tij.

Presidenti rus tha se autoritetet sllovake “...do të ishin të lumtura të ofronin vendin e tyre si një platformë për negociata. Ne nuk jemi kundër, nëse bëhet fjalë për këtë. Pse jo? Meqenëse Sllovakia mban një pozicion kaq neutral”.

Sllovakia shihet si pjesë e grupit në rritje me vendet anëtare të BE-së nga Evropa Qendrore dhe Lindore, të cilët janë skeptikë ndaj mbështetjes për Ukrainën dhe mbështesin negociatat me Rusinë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka kritikuar vazhdimisht Sllovakinë, e cila kufizohet me Ukrainën, për tonin miqësor që Kryeministri i saj Fico përdor ndaj Rusisë që nga kthimi i tij në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2023.

Presidenti Putin ka thënë vazhdimisht se Rusia është e hapur për bisedime për t'i dhënë fund konfliktit me Kievin, por se megjithatë do t'i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë.

Ai tha të enjten se Rusia mund të përdorë sërish raketën e re balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi të njohur si Oreshnik, por nuk po nxitonte ta bënte këtë.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e përdorimit të saj si sot ashtu edhe nesër, nëse është e nevojshme”, thotë Presidenti Putin.

Nëse është e nevojshme, tha Presidenti Putin, Rusia mund të përdorë armë më të fuqishme me rreze të mesme.

XS
SM
MD
LG